Analisti i njohur i marrëdhënieve ndërkombëtare, Janusz Bugajski, ka deklaruar se herët apo vonë Serbia do ta njohë pavarësinë e Kosovës, por sipas tij, kjo ka më shumë gjasa të ndodhë kur Rusia të humbasë luftën dhe rolin e ndërhyrjes së saj në Ballkan.
Bugajski ka thënë në “Euroneës Albania” se mbështet kushtet e vendosura nga kryeministri i Kosovës, Albin Kurti për Asociacionin e komunave me shumicë serbe.
Sipas tij, faktori ndërkombëtar duhet t’i bëjë më shumë presion Serbisë dhe ta kushtëzojë anëtarësimin e saj me kushtet e Kosovës.
“Në fakt jam optimist që kjo gjë herët apo vonë do të ndodhë. Mbase nuk do të ndodhë gjatë kësaj qeverie, pra qeverisë së Vuçiqit. Gjasat më shumë janë që të ndodhë kur Rusia ta humbë luftën në Ukrainë, të dobësohet dhe të mos ndërhyjë më në Ballkan. Dhe me shumë gjasa do të ndodhë kur kushte më të ashpra t’i vendosen Beogradit për të pranuar pavarësinë e Kosovës. Pra me fjalë të tjera, ti e pranon, të hapet rruga e anëtarësimit në BE, në të kundërtën nuk ka mundësi anëtarësimi, por do humbasësh dhe fondet e BE-së”, është shprehur ai.