Arbëri

“E trishtueshme kur e sheh që nëna dhe babai e kanë mbuluar fëmijën për ta shpëtuar”

Mentor Maloku, një nga shtatë vullnetarët nga Kosova që u janë bashkuar ekipeve të kërkim-shpëtimit në Turqi për të ndihmuar në nxjerrjen e njerëzve nga rrënojat pas tërmeteve shkatërruese, ka bërë të ditur se në ditën e parë kanë nxjerrë shtatë viktima. Në një deklarim për emisionin “038” të KTV-së ka rrëfyer se si ky ekip vullnetarësh po operon në rajonin më të goditur nga tërmetet në Turqi, Hatay. Ai ka thënë se në mesin e shtatë viktimave të nxjerra, ishte një familje treanëtarëshe.

“Përvojë jo e mirë sot. Kemi nxjerrë shtatë viktima nga rrënojat. Është e trishtueshme kur e sheh që nëna dhe baba e kanë mbuluar fëmijën për ta shpëtuar. Në atë rast, të tre janë të vdekur. Është shumë emocionuese. S’di çka të them. Mundin që jemi duke bërë, ia vlen”, ka thënë ai.

Maloku, që është pjesë e Shoqatës Vullnetare për Kërkim-Shpëtim, ka thënë se qyteti i Hatayt është i shkatërruar pothuajse 90 për qind. Udhëtimi në Turqi ka ardhur me ndihmën e Ambasadës turke, ka bërë të ditur ai. Maloku ka shtuar se do të varet nga situata se sa do të qëndrojnë. Ai ka treguar se gjumin e bëjnë në stadiumin e futbollit të qytetit, aty ku ka thënë se Ushtria ka krijuar kampin e kërkim-shpëtimit.

Vullnetarët nga Kosova kanë shkuar në Turqi, disa ditë pasi u nisën pjesëtarët e parë të Forcës së Sigurisë së Kosovës. Para katër ditësh, Kosova dërgoi specialistët e kërkim-shpëtimit për t’i ndihmuar Turqisë. Kontigjenti i Gardës Kombëtare të FSK-së, që u dërgua në Turqi, përbëhet nga specialistë të kërkim-shpëtimit urban, ekipe mjekësore dhe ekipe të kërkim shpëtimit K9. Ushtarët e Kosovës po ashtu po operojnë në Hatay. Të mërkurën, Forca e Sigurisë arriti të nxjerrë të gjallë nga rrënojat një fëmijë dyvjeçar dhe nënën e tij. Ndërkaq të premten drejt Turqisë është nisur edhe një ekip i FSK-së. Sipas njoftimit nga Ushtria, ekipi është nisur për të mbështetur operacionet e kërkim-shpëtimit të kontingjentit të FSK-së.

“Ekipi i përbërë nga oficerë e nënoficerë do t'i bashkohet kontingjentit për të mbështetur operacionet me personel dhe pajisje specialistike të punës që do të ndihmojnë në zhvillimin sa më efikas të operacioneve”, thuhet në njoftim.

Pas një vizite në bazën ushtarake të KFOR-it turk në Prizren, ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka thënë se Kosova është e gatshme të ofrojë ndihmë shtesë po që se kërkohet.

Tërmetet që goditën Turqinë dhe Sirinë të hënën deri më tash kanë lënë të vdekur mbi 23,700 njerëz, sipas të dhënave deri në mbrëmjen e së premtes. Siç ka shkruar “The Guardian”, temperaturat e ulëta kanë shkaktuar telashe në kërkime. Qytetarët turq po përballen me telashe edhe në gjetjen e vendqëndrimeve. Qeveria turke ka ndarë ushqim e tenda, por raportohet se ka ngecur t’i mbulojë nevojat për të gjithë ata që kanë mbetur pa kulm mbi kokë.