Arbëri

Jakurti: “Superpuna”, politikë afatshkurtër për krijimin e mundësive për të rinjtë e papunë

Ekonomisti Edison Jakurti ka thënë se platforma “Superpuna” e prezantuar të hënën nga Qeveria, është politikë afatshkurtër për krijimin e mundësive të reja për të rinjtë që janë të papunë, të cilët do të trajnohen në një vend pune dhe eventualisht do të qëndrojnë në një periudhë më afatgjate. Megjithatë ai e ka konsideruar se ky veprim nga ana e ekzekutivit është një indikacion që po bëhet diçka për punësimin e të rinjve.

Të martën në “Interaktiv” të KTV-së, Jakurti ka thënë se me aq sa është prezantuar, është e vështirë të thuhet se efekti do të jetë i shpejtë, sepse sipas tij, kjo punë merr kohë.

Jakurti ka thënë se të dhënat e Agjencisë së Statistikave të Kosovës në 10 vjetët e fundit tregojnë se ka mbi 100 mijë të rinj të moshës 15-24 vjeç, të cilët nuk shkollohen e as nuk punojnë.

“I bie që çdo i treti i kësaj grupmoshe të jetë në këtë kategori. Ndërsa nëse i shohim statistikat e papunësisë, shohim që çdo i dyti i këtij grupmoshe është i papunësuar dhe natyrisht se çfarëdo politike që vjen për stimulimin e punësimit të këtyre të rinjve është i mirëseardhur. Ekzistojnë lloje të ndryshme të papunësisë dhe ne duhet t’i kemi parasysh shkaktarët në mënyrë që të dimë se cila është politika më e duhur. Në një kohë shumë të gjatë ka qenë ajo që është thirrur papunësia strukturore, që nënkupton se përgatitja që u bëhet studentëve në sistemin tonë arsimor dhe kërkesat që ka tregu i punës kanë një shpërputhje. Varësisht prej shkaktarëve, duhet të bëhet edhe politika”, ka thënë ai.

Platformën “Superpuna”, Jakurti e ka cilësuar si hap shumë të mirë në lejimin e një mundësie për të rinjtë.

Sa i përket buxhetit të alokuar për këtë platformë, Jakurti ka thënë se 15 milionë eurot janë vetëm 2 për qind e buxhetit të vitit 2023 të alokuara për paga dhe mëditje.

“Sa i përket buxhetit që është alokuar për këtë program prej 15 milionë eurove, është shumë që as nuk duhet të diskutohet. Në buxhetin e vitit 2023 janë rreth 745 milionë euro të alokuara për paga dhe mëditje dhe po flasim për rreth 2 për qind të atij buxheti. Edhe nëse ministria do ta alokonte dyfishin e saj, sërish do të ishte një shumë shumë e vogël nëse njëmend arrijnë që të punësohen 10 mijë të rinj, nëse arrijnë të punësohen kostoja financiare e këtij programi është shumë e ulët. Synimi duhet të jetë që brenda këtyre 6 muajve të kenë trajnim të këtyre të rinjve që punësohen, të cilët pastaj edhe pas gjashtë muajve të bëhen të pazëvendësueshëm për ata që i kanë marrë në punë”, ka thënë ai.