Arbëri

Kurti me përfaqësuesit e QUINT-it në OSBE e Abbottin: Plani evropian, platformë solide për të ecur përpara

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ka theksuar përfaqësuesve të përhershëm të QUINT-it në OSBE dhe ambasadorit britanik në Kosovë se propozimi evropian është platformë solide për të ecur përpara në dialogun me Serbinë.

Kurti të martën u takua me ambasadorët e QUINT-it në OSBE, Michael Carpenter, përfaqësuesi i Përhershëm i ShBA-së, Christine Fages, përfaqësuese e Përhershme e Francës, Gesa Braeutigam, përfaqësuese e Përhershme e Gjermanisë, Stefano Baldi, përfaqësuesi i Përhershëm i Italisë dhe Neil Bush, përfaqësuesi i Përhershëm i Britanisë së madhe, si dhe Nocholas Abbottin, ambasadorin britanik në Prishtinë, ku diskutuan për shumë çështje.

“Në takim u diskutua edhe për marrëdhëniet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë dhe për propozimin evropian, për të cilin Kryeministri Kurti tha se është i pranueshëm si bazë e mirë për diskutime të mëtutjeshme dhe platformë solide për të ecur përpara”, thuhet në njoftimin e Kryeministrisë.

Diskutuan edhe për, sipas njoftimit, bashkëpunimin ndërmjet Kosovës dhe shteteve të QUINT-it në kuadër të fushëveprimit të OSBE-së dhe se si ky bashkëpunim mund të thellohet gjatë gjysmës së dytë të mandatit qeverisës. Kurti shprehu mirënjohjen e tij për rolin dhe kontributin e OSBE-së dhe mbështetjen e vazhdueshme që i kanë dhënë institucioneve të Kosovës.

“Kurti i njoftoi ambasadorët me zhvillimet e fundit në vend dhe për punën dhe të arriturat e qeverisë në fushën e sundimit të ligjit, për reformat e ndërmarra, progresin ekonomik e demokratik që janë evidentuar edhe në raportet ndërkombëtare përfshirë këtu edhe atë të Bashkimit Evropian”, vijon njoftimi.

“Ambasadorët vlerësuan ndryshimet pozitive në vend dhe përkushtimin e Qeverisë për reforma. Në të njëjtën kohë, konfirmuan mbështetjen e vendeve të tyre ndaj Kosovës”, thuhet më tej në njoftim.


Edhe Gërvalla takon përfaqësuesit e QUINT-it, thekson përkushtimin për përparim në dialog

Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla-Schëarz, priti po ashtu ambasadorët e përhershëm të shteteve të QUINT-it në OSBE. Gjatë bisedës me ambasadorët Michael Carpenter (SHBA), Neil Bush (Mbretëri e Bashkuar), Christine Fages (Francë), Gesa Bräutigam (Gjermani) dhe Stefano Baldi (Itali), të shoqëruar nga Ambasadori britanik në Kosovë , Nicholas Abbot, Gërvalla theksoi vullnetin dhe gatishmërinë e Kosovës për t’u anëtarësuar sa më parë në këtë organizatë.

Temë e bisedës ishin edhe siguria në Kosovë, rajon dhe Evropë, të drejtat e njeriut dhe të minoriteteve në Kosovë dhe në Serbi, dialogu me Serbinë, ndikimi rus dhe roli destruktiv i Serbisë në raport me Evropën, Ukrainën dhe shtetet e Ballkanit Perëndimor, thuhet në njoftimin e ministrisë.

Gërvalla theksoi se Kosova është e përkushtuar për paqe dhe stabilitet në rajon dhe që është në koordinim dhe bashkëpunim të ngushtë me partnerët dhe aleatët e saj për të arritur përparim në të gjitha fushat, përfshirë edhe marrëveshjen finale me Serbinë me në qendër njohjen reciproke.

Image