Arbëri

Hovenier: Kosova të nisë me formimin e Asociacionit pa kompetenca ekzekutive

Ambasadori amerikan, Jeffrey Hovenier, ka përsëritur qëndrimin se Kosova duhet të ecë para me formimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Ai tha se qëndrimi i SHBA-së është që ky Asociacion nuk duhet të jetë Republikë Serbe, e as me kompetenca ekzekutive.

Hovenier ka vizituar Gjakovën të mërkurën. Ai tha se Amerika ka qëndrime të rrepta për mbështetjen e Kosovës.

Para gazetarëve ai u pyet edhe për Asociacionin, me ç’rast, renditi tri pika të qëndrimeve të tyre. Të martën Ambsada e SHBA-së në Kosovë organizoi një diskutim për Asociacionin. 

“Dy orë pas takimit të djeshëm, unë e kam dhënë një deklaratë shtypi e cila është e qasshme në uebfaqen e Ambasadës tonë dhe aty e kam shprehur këndvështrimin tonë, por po ashtu të kuptuarit apo ndjenjën se çka mendojmë se si ka shkuar takimi i djeshëm. Por ndoshta t’i them vetëm dy-tri pika të rëndësishme të saj. Mendoj, se ka qenë një mundësi e rëndësishme për një shkëmbim të plotë të ideve të cilat njerëzit kanë të drejtë që t’i kenë pikëpamjet e ndryshme natyrisht. Më lejoni që t’i them tri pika, të cilat nuk janë të reja. E para është që Shtetet e Bashkuara të Amerikës mendojnë se tani ka ardhur koha që Qeveria e Kosovës duhet të ecë përpara me Asociacionin e komunave me shumicë serbe. E dyta është se kemi qenë shumë të qartë se çka nuk duhet të jetë. Asociacioni nuk duhet të jetë Republikë Serbe, nuk duhet të ketë kompetenca ekzekutive. Pra, sërish çështje të cilat i kemi përmendur dhe janë edhe në deklaratë. Shtetet e Bashkuara të Amerikës janë po aq të qëndrueshme dhe të rrepta në mbështetjen e tyre për Kosovën siç kanë qenë gjithmonë për një shtet, i cili është sovran, demokratik, shumëetnik dhe i pavarur. Ne shohim drejt Qeverisë së Kosovës se si do ta përmbushë këtë vizion duke ju përmbajtur edhe atyre parimeve”, tha Hovenier.

Hovenier ka thënë se ka pasur një takim shumë të mirë me kryetarin e Gjakovës, Ardian Gjini, të cilin e njeh për më tepër se 15 vjet.

“Më vjen shumë mirë që jam sot këtu, do të kemi mundësinë gjithashtu që të bëjmë shëtitje përreth qytetit, kryetari i komunës do të na tregojë qytetin, Gjakovën si dhe vendin e vetë, vendin që Gjakova e zë në Kosovë. Përveç të tjerave do të kemi edhe aktivitete të tjera të cilat janë këtu të planifikuara në qytetin e Gjakovës, do të kemi një angazhim me studentë si dhe një angazhim në aspektin afarist. Me të vërtetë dëshiroj që ta falënderoj kryetarin Gjini edhe për miqësinë e tij, për mikpritjen e tij, por edhe për lidershipin të cilin është duke e treguar dhe njëkohësisht për shërbimin e tij për Kosovën deri tani”, tha Hovenier.

Gjini tha se me ambasadorin Hovenier ka biseduar për çështje të ndryshme.

"Jemi ndër popujt më të bekuar në botë që kemi mbështetjen e demokracisë më të madhe në botë, shtetit më të fuqishëm në botë, por edhe gjithë aleatëve, të cilët për një kohë të gjatë kanë qenë bashkë me ne. Kemi biseduar për shumë gjëra, për Gjakovën, për Kosovën. Dhe më duhet të ju them që edhe në këtë rast, jam shumë i lumtur që në Kosovë është ambasadori Hovenier, për shkak se është një nga diplomatët amerikan që jo vetëm që kupton çka ka në Kosovë, në politika e politikë, por e kupton edhe arsyen prapa gjithçka që kemi bërë për 25 vjet", u shpreh Gjini.