Angazhim më të madh dhe hapa konkretë në raport me vendet jonjohëse të BE-së ka kërkuar kryeministri Albin Kurti, teksa ka komentuar turin diplomatik të emisarit për dialog, Miroslav Lajçak, në vendet anëtare të bllokut, të cilat nuk e kanë njohur shtetësinë e Kosovës. Por njohës të zhvillimeve kanë thënë se maksimumi që mund të arrihet, po qe se Kosova e Serbia arrijnë marrëveshje për normalizim të marrëdhënieve, është që pesëshja mosnjohëse të mos e kundërshtojë vendimin e Këshillit të BE për t’i dhënë Komisionit Evropian mandatin për ta trajtuar aplikacionin e Kosovës
Ndërmarrja e emisarit të Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, për të zhvilluar takime me zyrtarë të shteteve mosnjohëse mund ta ketë si qëllim shmangien e pengesave për shqyrtimin e aplikacionit të Kosovës për anëtarësim në bllokun evropian.
Pas vizitës në Prishtinë dhe në Beograd, emisari i BE-së ka realizuar së fundi edhe një rund takimesh me zyrtarë të pesë shteteve evropiane, të cilat nuk e kanë njohur shtetësinë e Kosovës.
Në takimin e mbajtur me ministrin e Jashtëm të Spanjës, Jose Manuel Albares, Lajçaku ka shprehur domosdoshmërinë për arritjen e një progres të shpejtë drejt normalizimit të marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë.
Augustin Palokaj, korrespodenti i KOHËS në Bruksel, i ka ndërlidhur lëvizjet e Lajçakut me veprimet që duhet të ndërmerren pas dorëzimit të aplikimit për anëtarësim në BE.
“Marrëveshja mes Kosovës e Serbisë ndoshta do të ndihmonte që pesë vendet e BE-së që nuk e njohin Kosovën të mos e kundërshtojnë vendimin e Këshillit të Bashkimit Evropian për t’i dhënë Komisionit Evropian mandatin për të realizuar aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE. Kjo ndoshta do të ishte maksimumi që mund të ndodhë, ndonëse duhet pasur parasysh se në mesin e pesë vendeve ka qëndrime të ndryshme”, ka thënë Palokaj. “Për shembull, Greqia, deri diku edhe Sllovakia kanë një qëndrim më fleksibil dhe ndoshta ato edhe do të mund ta njihnin Kosovën. Por nuk besoj që kjo mund të ndodhë me Spanjën dhe me Qipron. Rumania ka një qëndrim pak më të paqartë, por nuk është kundër”.
Peter Stano, zëdhënës i Komisionit Evropian, ka thënë se takimet e Lajçakut janë pjesë e punës së tij të përditshme dhe se BE-ja nuk i komenton ndërveprimet mes tyre.
“Përfaqësuesi i posaçëm i BE-së për dialogun Beograd-Prishtinë dhe për çështje të tjera rajonale të Ballkanit Perëndimor (EUSR) zhvillon takime rregullisht me të gjithë homologët përkatës dhe meqenëse ai është përfaqësues special i BE-së, është logjike dhe e natyrshme që këtu të përfshihen edhe përfaqësues të shteteve anëtare të BE-së. Këto takime janë pjesë e punës së tij të përditshme dhe ne kurrë nuk komentojmë për ndërveprime të tilla pune”, ka thënë Stano për KOHËN.
Edhe autoritetet në Suedi, shtet ky që aktualisht e mban kryesimin e radhës të presidencës së BE-së, kanë konfirmuar nisjen e konsultave përbrenda vendeve anëtare.
Lars Danielson, përfaqësues i përhershëm i Suedisë në BE, ka bërë të ditur se vendimi se si të veprohet me aplikimin e Kosovës për anëtarësim në BE është procedural, por edhe politik. Ai ka theksuar se është e natyrshme që konsultimet të bëhen fillimisht me pesë shtetet mosnjohëse të Kosovës. Shkaku i kësaj rrethane, Danielson ka përmendur mundësinë që dosja e Kosovës të mos i bartet Komisionit Evropian, ashtu siç e kërkon procedura.
Mbi takimet e zhvilluara nga Lajçaku me vendet mosnjohëse është informuar edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Ai ka bërë të ditur se aktualisht “ka përmirësim të atmosferës, por jo hapa konkretë”.
“Unë besoj se duhet angazhim shumë i madh që të kemi hapa konkretë me shtetet që nuk e njohin ende Kosovën. Nëpërmjet njohjes së tyre do të na e hapnin plotësisht rrugën për integrim në NATO dhe Bashkimin Evropian dhe kjo është tejet e rëndësishme për neve. Natyrisht që ne po të kishim mundësinë për ulëse në OKB, gjithçka do të ishte më kollaj. Mirëpo duke pasur parasysh se në Këshillin e Sigurimit të OKB-së e kemi Federatën Ruse dhe Kinën, ajo minimumi çka presin qytetarët e Kosovës është se vetëm shtetet demokratike evropiane t’i bashkohen shumicës së vende anëtare të Bashkimit Evropian dhe ta njohin pavarësinë e Kosovës”, ka thënë Kurti të enjten, pas forumit ekonomik Kosovë-Kroaci.
“Pesëshja mosnjohëse, sidomos me qeverinë e re gati dyvjeçare që ka arritur progres demokratik e ekonomik dhe sidomos pas ndërhyrjes agresive të pashembullt kriminale të Rusisë mbi Ukrainën, do të duhej ta njihte Kosovën dhe t’i bashkohet shumicës së anëtarëve të Bashkimit Evropian edhe për të mirën e BE-së edhe për të mirën e Kosovës”, ka shtuar ai.
Në draftin e propozimit franko-gjerman, i cili ka qarkulluar nëpër media dhe mbi bazën e të cilit synohet që të shkohet drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse, nuk përmendet njohja nga pesë vendet e BE-së.
Palokaj ka vlerësuar se qasja neutrale e BE-së karshi statusit pritet që ta shoqërojë dialogun.
“Duhet pasur parasysh se në këto 11 vjetët e fundit jo vetëm se nuk kanë thënë që nuk është pengesë për dialog fakti që pesë vendet nuk e kanë njohur Kosovën, por nga shërbimi i jashtëm, privatisht, kanë thënë se kjo është një gjë e mirë, pasi që ia mundëson Bashkimit Evropian të ketë qëndrim neutral ndaj statusit dhe në këtë mënyrë të paraqitet si ndërmjetës fer dhe korrekt, pasi që Serbisë mund t’i thotë se ka status neutral, kurse Kosovës se shumica e vendeve ia kanë njohur pavarësinë. Pasi vetë marrëveshja nuk përmend njohjen nga Serbia, pritet që diçka e ngjashme të jetë edhe nga vetë vendet e BE-së, pra që ato të mos e kundërshtojnë avancimin e Kosovës në procesin e integrimeve evropiane”, ka thënë korrespondenti i KOHËS në Bruksel.
Por ndonjë ftesë për ta njohur Kosovën, sipas Palokajt, aktualisht nuk mund të pritet.
Pas Suedisë, presidencën e BE-së e merr njëra prej shteteve mosnjohëse të Kosovës, Spanja.
Bazuar në procedura, pasi një shtet aplikon për anëtarësim, Këshilli kërkon nga Komisioni Evropian që të përpilojë një mendim nëse vendi aplikues i përmbush apo jo kushtet për ta marrë statusin e kandidatit dhe për nisjen e negociatave të anëtarësimit.