Kryetari i Shtërpcës, Dalibor Jevtiq, ka kërkuar nga Policia e Kosovës që t’i shtojë patrullat në rrugët kryesore të kësaj komune, pas incidentit që ndodhi më 6 janar, ku u plagosën dy të rinj serbë, ndërsa i dyshuar është një ushtar i FSK-së.
Jevtiq është takuar me drejtorin rajonal të Policisë në Ferizaj, nënkolonelin Basri Shabani.
Jetviq ka kërkuar të shtohen pika kontrolli në fshatërat Drajkovc e Jazhincë, të shtohet prania e policisë në stacione të autobusëve, e të shtohet patrullimi në rrugët kryesore të Shtërpcës.
“Kryetari z. Dalibor Jevtiq falënderoi policinë rajonale të Ferizajt për mbështetjen dhe menaxhimin e situatës gjatë dhe pas ngjarjes së incidentit të datës 06.01.2023 dhe ofroi mbështetje të pa rezervë të tij që në Shtërpcë të mbizotëron një ambient i qetë dhe i sigurt për qytetaret e saj. Ndërsa deri në një vlerësim tjetër kryetari i komunës kërkoi që: Të vendosen pika kontrolli në fshatin Drajkovc dhe Jazhincë; Të shtohet prania e policisë në stacionet e autobusëve, kur fëmijët vijnë dhe dalin nga shkolla; Të shtohet patrullimi i policisë në rrugët kryesore të Shtërpcës; Të vendosen kamerat e sigurisë në pika të rëndësishme dhe të mbikëqyren nga policia”, thuhet në komunikatën e Policisë.
Ndërkohë nënkoloneli Shabani e ka siguruar kryetarin e Shtërpcës se janë shtuar masat e sigurisë në terren. Po ashtu është thënë es do të bëhet një analizë e re për të vendosur kamera të sigurisë në vendet kyçe në Shtërpcë.
“Drejtori Rajonal, Nënkoloneli Basri Shabani e ka siguruar kryetarin e komunës së Shtërpcës se Policia Rajonale e Ferizajt ka ofruar mbështetje dhe përkrahje për stacionin e policisë në Shtërpcë, ka shtuar masat e sigurisë në terren për të siguruar një ambient të qetë dhe të sigurt, i ka caktuar dy pika kontrolli në fshatin Drajkovc dhe Jazhincë. Policia në vazhdimësi ka punuar me plan operativ ‘’Siguria në shkolla’’, për t’i siguruar nxënësit kur vijnë dhe kur dalin nga shkolla, është në zbatim të planit rreth objekteve të kultit, ku në baza ditore vizitohen objektet fetare. Gjithashtu policia rajonale do të bëjë një analizë të re rreth vendosjes së kamerave të sigurisë në vendet kyçe në Shtërpcë, që do të monitorohen dhe mbikëqyren nga policia”, thuhet nga Policia.