Arbëri

Pallati i Drejtësisë nuk ka sistem të ngrohjes, punonjësit marrin nxehëse nga shtëpia

Objekti i Pallatit të Drejtësisë ka problem me ajrosjen që kur u lëshua për shfrytëzim më 2014, por gjatë stinës së dimrit ka problem edhe me ngrohjen. Teksa ajrosjes po i bëhet zgjidhja me hapjen e dritareve që janë statike, për ngrohje, punonjësit e Pallatit shfrytëzojnë ngrohëse që i marrin nga shtëpia. Shoqata Sindikale e Gjykatës Themelore në Prishtinë kërkon sistem për ngrohje e ajrosje, e nga Ministria e Punëve të Brendshme, që është përgjegjëse për objektin, nuk dhanë sqarime të mërkurën

Objekti i Pallatit të Drejtësisë nuk ka ngrohje. Punonjësit janë të detyruar që të marrin ngrohëse nga shtëpia në zyrat e tyre, ndërsa seancat gjyqësore mbahen në salla ku nuk ka kurrfarë mënyrë ngrohjeje.

Përderisa problemet gjatë verës që i ka pallati me ajrosje kanë filluar të zgjidhen në disa pjesë të tij përmes një tenderi për hapjen e dritareve statike, institucionet përgjegjëse nuk kanë bërë zgjidhje për ngrohje gjatë dimrit.

Kryetari i Shoqatës Sindikale të Gjykatës Themelore në Prishtinë, Naim Rrustemi, thotë se puna në pallat është bërë e vështirë për të gjitha palët.

“Verës kemi problem me temperatura të larta, dimrit kemi problem me temperaturat tepër të ftohta. Jo sallat, por edhe një zyre siç është e imja këtu, pa një nxehëse tonën private është me të vërtetë shumë e vështirë të punohet. Tash të mos na e zë për të madhe dikush e të thotë: jo bre se u hapën dritaret e u zgjidh problem. Po bre, u hapën dritaret edhe shyqyr që u hapën dritaret e së paku atë problemin e mungesës së oksigjenit verës nuk do ta kemi, mirëpo edhe sezoni dimëror duhet t’i ketë kushtet e veta”, ka thënë Rrustemi.

Sipas tij, sistemi i klimatizimit që shërben për ngrohje dhe ftohje ishte funksional vetëm në vitin e parë pas lëshimit në përdorim të objektit.

Ministria e Punëve të Brendshme është përgjegjëse për kushtet në pallat, por gjatë ditës së mërkurë, zyrtarët e saj nuk kanë kthyer përgjigje rreth zgjidhjeve të mundshme për situatën atje.

Personat në pallat që janë përgjegjës për mirëmbajtje të përditshme, sipas Rrustemit, nuk mund t’i zgjidhin problemet që kërkojnë intervenim nga institucionet qendrore.

Ai thotë se këtë problem e ka adresuar për herë të fundit para një muaji me përfaqësues të Këshillit Gjyqësor, ndërsa me ata të Ministrisë së Punëve të Brendshme para një viti. Përgjigje nuk kthyen as nga Këshilli Gjyqësor.

Në Këshillin Prokurorial thonë se kanë bërë përpjekje maksimale për zgjidhjen e problemeve të ajrimit dhe si rezultat i këtij presioni, po hapen dritaret.

Në këtë institucion janë shprehur se barra për klimatizim është e Ministrisë së Punëve të Brendshme.

Procesi i hapjes së dritareve po vazhdon. Në objektin A pothuajse janë hapur tërësisht. Në të gjitha objektet e pallatit, përfshirë C-në, ku pati edhe grevë vitin e kaluar për mungesë ajrimi, pritet të bëhet hapja e dritareve deri më 9 mars, në bazë të kontratës prej 275.5 mijë eurosh të MPB-së.

Kompleksin e Pallatit të Drejtësisë e shfrytëzojnë institucione të shumta, përshirë Gjykatën e Prokurorinë Themelore të Prishtinës, Gjykatën e Prokurorinë e Apelit, Gjykatën Supreme e Zyrën për Mbrojtësit e Viktimave. Brenda tij punojnë mbi 800 persona dhe trajtohen shumica e lëndëve gjyqësore në nivel vendi.