Nenad Rashiq është kthyer në skenën politike në Kosovë në fillim të dhjetorit. Në kohën kur tensionet në veri mbërritën në kulm dhe Lista Serbe braktisi institucionet, Rashiq mori guximin që ta udhëheqë Ministrinë për Komunitete dhe Kthim.
Me t’u emëruar sërish ministër, u kthye në shënjestër të politikës serbe që s’dëshiron stabilitet në Kosovë. Prej vitesh u etiketua nga presidenti serb, Vuçiq, si luajal i shqiptarëve. Së fundmi u kërcënua nga shtetas të Serbisë, ndërsa bashkë me të e pësuan edhe këshilltarët e bashkëpunëtorët. Këshilltarja e tij, Rada Trajkoviq, u keqtrajtua në pikëkalimin kufitar në Merdar nga policët serbë, që njëherë ia ndaluan daljen nga Serbia për në Kosovë, e më pas edhe hyrjen në Serbi pas vizitës në Kosovë. Ngjashëm e pësoi edhe Boban Bogdanoviq, opozitar në Serbi, e bashkëpunëtor i Rashiqit.
Ministri i ri ka premtuar “punë të sinqertë, në interes të qytetarëve, në radhë të parë të serbëve dhe komuniteteve të tjera, por jo në dëm të shqiptarëve”. Ai mori detyrën edhe pse partia e tij, Partia Demokratike Progresive, nuk ka përfaqësim në Kuvend.