Ministrit të Bujqësisë u tregua “i djegës” me retorikën. Jo veç me opozitarët, por Faton Pecit i doli punë edhe me ish-bashkëpartiakë e me gazetarë.
Atij nuk i pëlqyen pyetjet e KOHËS në fillim të dhjetorit, pasi iu kërkua ta arsyetonte shkeljen e vendimit të Qeverisë, kur një zyrtari ia lëshoi autorizimin për ta përdorur për një vit veturën zyrtare. Me nervozizëm dha përgjigje e edhe leksione për mediat.
Nervozizëm shprehu edhe kur nga subjekti politik ku është gjysmëkryetar u largua deputetja Doarsa Kica-Xhelili. Zgjodhi mediat sociale për ta thumbuar ish-kolegen: “Kush synon tjetërsimin apo kontrabandimin e vullnetit të qytetarëve, u bashkohet atyre që janë pjesë e erës së përfunduar në politikë”.
Dhe, përplasjet më të mëdha i pati me opozitën. Nga viti paraprak e vazhdoi nervozizmin me deputeten Ganimete Musliu, e kësaj radhe jo për bujqësinë, sa për presidenten Vjosa Osmani, të cilën ajo e sulmonte e Peci e mbronte.
Por ministri nuk u tregua i “djegës” aty ku më së shumti duhej. Në fundvit bëri xhiro një video që dëshmon abuzimin që iu bë një fëmije lypsar në sy të ministrit Peci dhe ai fare nuk reagoi.