Arbëri

Personalitetet e vitit 2022: Memli Krasniqi – Opozitari pa ritëm

Memli Krasniqi drejton partinë më të madhe opozitare, por u tregua prej opozitarëve më pak të zhurmshëm. U shqua për kritika të përsëritura, të cilat i bëri kryesisht në Kuvend.

Në njërën nga seancat, kryetari i PDK-së dha një arsye pse nuk polemizon me kryeministrin: “Me kë me repliku? Me këtë tutc? Ky tutc ka lindë, tutc ka jetu dhe ashtu ka me dalë prej këtu”.

Deklarativisht, reperi i “Ritmit të Rrugës” i ofroi mbështetje qeverisë për dialogun, por refuzoi të takohej me Kurtin, kur e ftoi për të diskutuar në këtë temë. I shkoi në zyrë kryeministrit, pas tensionimit të veriut, e të cilit i kërkoi veprime të përgjegjshme që e ruajnë sovranitetin e vendit.

Kritikat kryesore ua la koordinatorëve të departamenteve të Kabinetit të Qeverisjes së Mirë, përkatësisht qeverisë në hije të cilën e themeloi. Edhe ato, bien në kategorinë e kritikave konstruktive.

Edhe vetë Krasniqi u përcaktua të jetë opozitar konstruktiv. Jo pak herë lansoi qëndrime publike se nuk është i interesuar ta rrëzojë qeverinë, pa e përmbyllur ajo mandatin e rregullt 4-vjeçar.