Arbëri

Rrëfimi i emigrantit shqiptar: Udhëtimi 12 orë me gomone deri në Britani ishte i frikshëm

Gomone Britani udhetimi

Foto ilustrim

Një emigrant shqiptar ka rrëfyer për emisionin “Review” në Euronews Albania, për largimin e tij drejt Britanisë së Madhe.

Ai tregoi se udhëtoi nga Shqipëria deri në Francë, e më pas prej aty, me gomone drejt Britanisë së Madhe.

Udhëtimi ishte shumë i rrezikshëm. Emigranti tregon se zgjati për rreth 12 orë.

“Kam ardhur në Britani të Madhe më datën 1 mars të këtij viti. Kam shkuar me gomone, si gjithë të tjerët. Nga Shqipëria, jam nisur në Tiranë, Kosovë, Serbi, të gjitha shtetet me radhe deri në Francë. Kontaktin atje në Francë e kam gjetur, ishte ai grupi ku mblidheshin shqiptarët, kurdët. Jam nisur me mendimin se do gjej një kontakt me kurdët, sepse ata e kanë atë pjesën e rrugës. Kam gjetur kontaktin dhe jam nisur. Nga Franca në Britaninë e Madhe, një rrugë shumë e vështirë. 12 orë në gomone, kemi qenë 35 veta, një rrugë shumë e frikshme. Nuk ka pasur fëmijë, vetëm burra. Policia e Britanisë na ka kapur në det të hapur, kur u futëm në ujërat e Britanisë, na ka ndalur në Dover, na kanë dhënë rroba të tjera, ushqim dhe na dërguan në kamp. Kam qëndruar 4 muaj në kamp. Më pas kam dalë dhe kam punuar në ndërtim. Bën ca muaj atje dhe të lënë të lirë”, theksoi ai.

E një emigrant shqiptar ka treguar se shkoi në Angli me kamion 5 vjet më parë dhe pagoi 12 mijë funte.

Ndër të tjera, emigranti tha se nuk ka tentuar të pajiset me letra angleze, pasi është shumë e vështirë, thuajse e pamundur.

“Nga Shqipëria jam larguar thuajse 5 vite më parë. Arsyet kanë qenë ekonomike më së tepërmi, por edhe mënyra e mos gjetjes së një pune të rregullt. Përpos saj, ka qenë edhe mënyra dhe mentaliteti që kemi në Shqipëri, ku meritokracia nuk funksionon. Nuk kam qenë në punë, kam qenë emigrant sezonal në Greqi. Në Greqi, emigrimi i paligjshëm thuajse nuk lejohej atje, ishte pak më e vështirë, në Gjermani po ashtu. Këtu, të paktën mesa na thanë ishte pak më e lehtë, por në fakt nuk ndodhi ashtu. Kam rreth 5 vjet këtu, vështirësitë janë të panumërta. Pjesën më të madhe që janë meshkuj këtu, punojnë në ndërtim. Me një shqiptar që ka një kompani, një firmë ndërtimi dhe është edhe puna e pagesës së mirë në ndërtim. Tentativa nuk ka pasur asnjë. Rrugët mund të jenë të shumta, por mundësitë janë pothuajse të pamundura dhe nuk kam tentuar. Në atë kohë kur kam qenë unë, nuk kanë qenë shumë të përhapura këto pjesët e gomoneve, kam ardhur me kamion duke paguar një shumë të madhe, diku te 12 mijë funte. Jam vetëm”, theksoi ai.