Arbëri

Kuvendi miraton buxhetin 2023

Me 65 vota pro, Kuvendi i Kosovës ka miratuar të enjten ndarjet buxhetore të buxhetit për vitin 2023.

72 deputetë ishin të pranishëm në Kuvend, ndërsa opozita nuk mori pjesë në votim.

Buxheti për vitin 2023 është 3 miliardë e 225 milionë euro, ndërsa 13 milionë euro i janë shtuar gjatë shqyrtimit në Komision.

Si pikë të fundit, me 65 vota pro, Kuvendi votoi në parim Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Kodit Penal.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka reaguar pas miratimit të Buxhetit për vitin 2023.

Duke e cilësuar si më të lartin dhe më gjithëpërfshirësin ndonjëherë, Kurti ka thënë se Buxheti prej 3.2 miliardë eurosh për vitin e ardhshëm, nënkupton “3.2 miliardë euro për arsimin, shëndetësinë, ushtrinë, bujqësinë, ekonominë e kulturën. Mirëpo, mbi të gjitha nënkupton 3.2 miliardë euro për rininë, gratë e grupet e cenueshme të shoqërisë”.

Teksa ka përmendur ndarjen buxhetore në sektorin e shëndetësisë, arsimit, sigurisë, ushtrisë e bujqësisë, Kurti ka thënë se është ndarë buxhet edhe për shumë projekte të tjera.

“Shumë nga premtimet tona na është thënë se nuk do të bëhen, e se nuk e kemi buxhetin e mjaftueshëm, mirëpo shtesat për lehona e për fëmijë u bënë, çerdhet po ndërtohen, punësimi po rritet, terminalet po bëhen shtetërore e prodhimi vendor po shumëfishohet. Kështu do të vazhdojmë edhe me premtimet e tjera e me buxhetimin e tyre në vitet e ardhshme”, ka shkruar ai në Facebook.