Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, e ka kritikuar ashpër kryeministrin Albin Kurti për reagimet rreth vrasjes tragjike të gruas shtatzënë në Klinikën e Gjinekologjisë në QKUK. E ka akuzuar se shteti ka rënë në çdo drejtim nën udhëheqje të tij.
Kreu i LDK-së ka thënë se Kurti po flet si analist e opozitar, duke mos e kuptuar sipas tij, që tani është në rolin e udhëheqësit të shtetit. E kritikoi për mosemërim të ministrit të Shëndetësisë e të Kryeprokurorit.
Sipas Abdixhikut, nëse Kurti do donte rend e ligj do ta emëronte Kryeprokurorin e ri dhe nuk do t’ia zbriste pagat të gjithë sistemit të drejtësisë.
“Nëse do shërbime më të mira spitalore – dhe siguri brenda spitaleve tona – të mos presë mbi 100 ditë për të vënë një ministër të shëndetësisë. Të tretin në më pak se dy vite qeveri”, ka shkruar Abdixhiku në Facebook.
“Po të donte rend e ligj, nuk do ta linte shtetin pa Kryeprokuror tash e një vit e nuk do t’ia zbriste pagat gjithë sistemit të drejtësisë, për të shkaktuar kaos aty. Një sistem i tërë drejtësie është në greve; mbi 500 lëndë në ditë shtyhen si pasojë e kësaj përplasjeje të panevojshme”, shtoi ai.
E nëse Kurti po kërkon përgjegjësi për rastin tragjik, Abdixhiku ka thënë se duhet të merret me ministrin e tij të Brendshëm dhe gjithë zinxhirin komandues.
“Nëse do përgjegjësi, le të merret me ministrin e Brendshëm të tij dhe gjithë zinxhirin komandues, të cilin vetë e ka caktuar ai – nga Drejtori i Policisë e poshtë. Një grua shtatzënë kishte urdhër mbrojtje. Shteti i udhëhequr nga ai, ka rënë në çdo drejtim”, vijon reagimi i Abdixhikut.
Abdixhiku i ka kërkuar kryeministrit të veprojë sa më shpejt. “Për atë punë je aty”.
Kurti ka bërë dy reagime që nga rasti i ndodhur dje. Fillimisht dënoi vrasjen e në reagimin e dytë të enjten, kritikoi reagimin shoqëror.
Vrasja e shtatzënës 35-vjeçare të mërkurën mbrëma ka zgjuar reagime të shumta në opinion. Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka paralajmëruar shkarkime e dorëheqje nga hallkat institucionale. Është paralajmëruar protestë për në orën 16:00 në sheshin e kryeqyetit.