Arbëri

Shpërfillet protokolli – tre liderët shtetërorë të Kosovës për kremte në Shqipëri

Lideret e Kosoves ne Vlore per 28 Nentor

Tre liderët shtetërorë të Kosovës u janë bashkuar atyre të Shqipërisë, në ceremoninë qendrore të organizuar në Vlorë, për kremten e 28 Nëntorit.

Aty vizituan Muzeun Kosova, dëgjuan orkestrat e forcave të sigurisë të të dyja vendeve, si dhe shijuan ditën me diell në një kafene të qytetit bregdetar.

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, u zotua për mbështetje të Kosovës në politikën e jashtme të saj.

“Sot Kosova është një vend i pavarur, që synon anëtarësim në NATO dhe në Bashkimin Evropian. Shqipëria mundet dhe duhet ta mbështesë fuqizimin e shtetit të Kosovës në çdo drejtim; të jetë zëri i saj sa herë të jetë e nevojshme, bashkudhëtare dhe mbështetëse e palëkundur në rrugëtimin e saj euroatlantik”, tha Begaj.

E, një fotografi të shkrepur në Vlorë, kryeministri Albin Kurti e publikoi në Facebook, së cilës ia shoqëroi një përmbajtje për ta arsyetuar vizitën.

 

“Sot, në Vlorë, në 110-vjetorin e Shpalljes së Pavarësisë së Shqipërisë, kujtuam historinë, përkujtuam sakrificën dhe nderuam lavdinë e atyre që besuan sepse ëndërruan, punuan sepse besuan. Çdo vit 28 Nëntori na bën bashkë. 28 Nëntori është pikënisja dhe pikëpresja e kombit tonë. E ne duhet të jemi më shpesh bashkë. Të punojmë bashkë. Të rrugëtojmë bashkë. Sepse duam. Sepse duhet”, ka shkruar Kurti.

Presidentja Vjosa Osmani, kryeparlamentari Glauk Konjfuca dhe kryeministri Albin Kurti njëkohësisht qëndruan në Shqipëri, ani se Ligji i Protokollit të Shtetit s’e lejon këtë.

“Protokolli i Shtetit vihet në dijeni paraprakisht për çdo lëvizje të personaliteteve kryesore, Presidentit, Kryetarit të Kuvendit dhe Kryeministrit jashtë shtetit. Vizitat bashkërendohen në mënyrë që të mos jenë të tre njëkohësisht jashtë vendit”, shkruhet në pikën katër të nenit 19 të këtij ligji”, thuhet në Ligjin e protokollit të shtetit. 

Edhe në vitin 2018, në dy raste është shkelur ky ligj. Njëkohshëm, presidenti Hashim Thaçi, kryeparlamentari Kadri Veseli e kryeministri Ramush Haradinaj kishin qëndruar në Bruksel e edhe në Washington.