Arbëri

Szunyog kritikon Kuvendin për mungesë performance

Shef i zyrës së BE-së në Kosovë, Tomas Szunyog, dhe zëvendëskryeministri, Besnik Bislimi, kanë marrë pjesë në diskutimin me temën “Raporti i Zgjerimit: Çfarë ka në të për Kosovën?”, që të mërkurën është organizuar nga Zyra e BE-së në Kosovë dhe Shtëpia e Evropës.

Szunyog në këtë diskutim ka theksuar se vlerësimi i përgjithshëm për raportin është se është më i mirë sesa vitin e kaluar.

Sipas tij për Kosovën është ë rëndësishme, që për dallim nga viti 2021, tani ka një koalicion qeveritar që ka shumicën në Kuvend

Ai ka folur edhe për fushat ku Kosova duhet të përqendrohet në të ardhmen.

Të parën që e ka përmendur ka qenë performanca e Kuvendit.

“Kemi pritur shumë më shumë përparim në aspektin legjislativ. Për fat të keq prapë shohim telashe që e pengojnë Kuvendin që të punojë me fuqi të plotë”, ka theksuar Szunyog.

Fusha e dytë, ku sipas tij Kosova duhet të shënojë përmirësime është energjia dhe mbrojtja e mjedisit. “Kemi shpresuar që Strategjia për Energjinë të miratohet e zbatohet”, ka deklaruar Szunyog.

Ai ka vlerësuar se duhen përmirësime edhe në fushën e sundimit të ligjit. “

“Edhe sundimi i ligjit është një fushë që ka përparim por na duhet më shumë punë për të zbatuar kornizën ligjore ... të kemi dënime për shumë raste që po vazhdojnë qe një kohë të gjatë. Presim rezultate të mira muajve të ardhshëm”, ka deklaruar Szunyog.

Zëvendëskryeministri, Bensik Bislimi, ka theksuar se për të është shumë e rëndësishme që këtë vit Kosova ka stabilitet politik.

"Mendoj që kruciale është aftësia e qeverisë që të mund të ndërhyjë më shpejt dhe në mënyrë të targetuar dhe për mua më e rëndësishmja që ka ndodh këtë vit është stabiliteti politik. Në qoftë se i shihmi prioritet e LVV - së e shihni se janë drejtësia dhe ekonomia”, është shprehur Bislimi.

Ai ka thënë se në këto dy fusha edhe raporti potencon të arriturat e Qeverisë.

“Rritja dyshifrore ekonomike në vitin e kaluar, formalizimi i ekonomisë ka qenë më i madhi në histori ... kemi rritjen e eksportit. Kemi një performancë ekonomike e cila ka qenë jashtëzakonisht më e mirë në raport me pritjet që i kemi me situatën”, ka theksuar Bislimi.

Te fusha e drejtësisë ai ka thënë se mendon që për një vit është bërë më shumë se sa për një dekadë. “Duhet ta kuptojmë se sundimi i ligjit nuk mund të ndodh për një vit”, ka deklaruar Bislimi.

Sipas tij në 12 muajt e ardhshëm Kosova, përveç energjisë, duhet të fokusohet në reformën e administratës publike.

“Përveç energjisë që është preokupim i tërë kontinentit, mendoj që në rastin e Kosovës është nevoja për përparim në reforma të administratës publike”, ka thënë Bislimi.