Zëvendëskryeministri i parë i Kosovës, Besnik Bislimi, ka thënë se deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri, e shau dhe e kërcënoi pasi ndali mikrofonin në seancën e sotme të Kuvendit të Kosovës. Ai ka ftuar Prokurorinë ta hetojë rastin.
“Abelard Tahiri nga kjo foltore nxori një sërë akuzash për ministren Haxhiu. Pasi e mbylli mikrofonin, m’u drejtua mua me një sërë kërcënimesh që i shoqëroi me të shara e fyerje ndaj meje. Kërkoj nga Prokuroria të marrë masa”, ka thënë Bislimi.
Por Tahiri e akuzoi Bislimin se po flet të pavërteta për shkak se janë “në një zor të madh”.
“Vërtetë është një çoroditje e kësaj qeverie. A janë duke i pa sjelljet e këtyre? Këta e kanë një siklet të madh, një problem të madh. As vendi-vend nuk po i zen. Ky është me të vërtetë në një gjendje të rëndë edhe psikike. Del në foltore flet të pavërteta”, ka thënë Tahiri.
Murati: Isha dëshmitar i kërcënimeve të Tahirit ndaj Bislimit
Ministri i Financave, Hekuran Murati, i ka dalë në mbrojtje bashkëpartiakut të tij Besnik Bislimi, i cili tha se deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri e kishte kërcënuar.
Murati thotë se e dëgjoi se si deputeti Tahiri e shau dhe e kërcënoi Bislimin pas ndaljes së mikrofonit.
“Unë isha dëshmitar i fyerjeve dhe kërcënimeve të deputetit Tahiri. Mund ta konfirmoj se pas mbylljes së mikrofonit deputeti kërcënoi dhe shau zëvendëskryeministrin. Ftoj prokurorinë sepse nuk kishte vetëm sharje, por edhe kërcënim. Ftoj Prokurorinë ta marrë seriozisht kërcënimin nga dikush që ka mbajtur armë me shurdhuese. Po flet dikush si ju; urdhëroni mbajeni atë që kemi krijuar, por ju keni krijuar shtëpi prej letre që brenda 24 orëve rrëzohet nga Vuçiqi dhe ai shpërblehet”, ka thënë Murati në Kuvend.
Deputeti i VV-së, Adnan Rrustemi, ka thënë se Tahiri duhet të largohet nga salla.
“Duhet ta kemi parasysh fillimisht që deputeti Tahiri shau dhe kërcënoi dhe për këto sjellje duhet të largohet nga salla. Sot siklet ka vetëm Vuçiqi. Por sot po manifeston siklet edhe Abelardi dhe duhet të tregojë se cili është sikleti. Ai kishte amnistuar kriminelët serbë përderisa nuk kishte bërë asgjë për gjykim të kriminelëve të luftës në Kosovë”.
Tahiri – Qeverisë: Më kanë kërcënuar për shkak të deklaratave tuaja
Deputeti i PDK-së, Abelard Tahiri, ka thënë se për shkak të shurdhueseve të armëve që Qeveria po ia përmend, ai ka marrë kërcënime nga një person që është në burg për organizim të vrasjes.
“Ne po ofendohemi me fjalët më të rënda nga zëvendëskryeministri dhe ministrat. Ne jemi njerëz. Sa për shurdhueset nuk e kam përmend më herët por po e përmend këtu. Duke e përmend ju shurdhueset unë kam marrë një kërcënim të cilin e kam denoncuar në Polici. Është në vuajtje të dënimit në Podgoricë, për organizimin e një vrasje, si rezultat i debatit për shurdhues. Pra është një vrasës në vuajtje të dënimit në Podgoricë, më shkruan mua nga burgu pikërisht për punën e shurdhuesve, me debatin që e beni ju. E kam konfirmimin e Policisë që ai është duke vuajtur dënimin për organizimin e një vrasjeje. Retorika e juaj po na kërcënon neve e fëmijët tanë. Ju me këtë retorikë keni me u përballë keq”, tha Tahiri.