Përmbushjen e kërkesës së punëtorëve të sektorit privat për shtesa prej 50 eurosh në muaj e ka përjashtuar të premten ministri i Financave, Hekuran Murati. Ai ka insistuar se pakoja qeveritare, e miratuar në shtator, e inkurajon rritjen e përhershme të pagave në këtë sektor. Por kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat ka thënë se kjo masë deri tani nuk ka ndikuar në rritjen e pagave për punëtorët
Punonjësit e sektorit privat kanë kërkuar që në kuadër të masave për ta luftuar inflacionin Qeveria t’ua alokojë nga 50 euro në muaj, sikur që bën për punonjësit e sektorit publik. Pakoja e Qeverisë, e miratuar në shtator, parasheh që mbështetja për sektorin privat të bëhet në formën e subvencionimit deri në 50 për qind të punëdhënësve për çdo pagë të rritur të punëtorëve. E subvencionimi do të vlente për tre muaj.
Por ministri i Financave, Hekuran Murati, i pyetur gjatë një konference për media rreth kërkesës së punëtorëve të këtij sektori, ka thënë se nuk do të ketë shtesa të drejtpërdrejta për punëtorët, ngase, sipas tij, masa qeveritare e inkurajon rritjen e përhershme të pagave në privat.
“Fitimi i korporatave është më i lartë se që ka qenë ndonjëherë. Ka hapësirë që në sektorin privat kompanitë t’i rrisin pagat. Ne do të insistojmë në këtë. U bëj thirrje që kompanitë private ta shfrytëzojnë mundësinë që e ofron Qeveria për t’i mbështetur në tre muajt e parë për rritjen e pagës në mënyrë që të rriten pagat edhe në sektorin privat, sepse ka hapësirë”, ka thënë ministri Murati.
Kryetari i Sindikatës së Punëtorëve të Sektorit Privat, Jusuf Azemi, në një përgjigje për KOHËN, ka thënë se kjo masë e Qeverisë deri më tani nuk ka gjeneruar rezultate në rritjen e pagave për punëtorët. Sipas tij, pagën e punëtorëve të sektorit privat Qeveria e ka lënë në vullnetin e kompanive ashtu siç ka qenë dhe se kjo nuk mund të quhet masë.
“Deri më tani, sipas të dhënave tona që i kemi nga punëtorët dhe nga pronarët e kompanive, askush nuk e ka bërë këtë ngritje. Unë nuk kam asnjë informacion deri më tani që një kompani i ka rritur pagat e punëtorëve për hir të vendimit të Qeverisë”, ka deklaruar Azemi.
Ai bashkë me përfaqësues të tjerë të kësaj sindikate mbajtën të premten një takim me qëllim të organizimit të një proteste për kundërshtimin e asaj që e vlerësuan indiferencë të Qeverisë karshi punëtorëve të sektorit privat.
“Si mund të financohet një punëtor që i merr 800 euro në sektorin publik dhe si nuk financohet një punëtor në sektorin privat që merr një shumë simbolike 200 euro. Ku është barazia apo ku është aspekti social? Duhet t’i themi kësaj qeverie që po na e qitni lakun në qafë neve të varfërve”, është deklaruar Azemi. Në Sindikatë kanë theksuar se për protestën vendimin do ta marrin gjatë javëve të ardhshme.