Arbëri

Surroi: Vendet e Ballkanit Perëndimor të përfshihen në integrimin evropian

Shkrimtari e publicisti Veton Surroi, deklaroi të enjten se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të përfshihen në një proces të integrimit evropian, edhe për faktin se disa jetojnë në hapësira “ku konflikti nuk ka mbaruar”.

Ai tha në një tryezë të organizuar në Beograd me temën “Ballkani i Hapur dhe Procesi i Berlinit, labirint i bashkëpunimit rajonal”, se pyetja është se si do të transferohet procesi i integrimit i këtyre shteteve.

“Ne jetojmë në një hapësirë ku konflikti nuk ka mbaruar. Në hapësirën e konfliktit të pambaruar. A mund të përfshihesh në proces të integrimit. Përgjigja në këtë është po. Duhet të përfshihemi. Të gjitha proceset e tjera integruese që patën sukses, u bënë me sigurinë e NATO-s. Pyetja është si do ta transferojmë këtë proces”, deklaroi Surroi.

Ai u shpreh se duhet diskutuar se si të shfrytëzohet energjia e investuar në “Ballkanin e Hapur” dhe në Procesin e Berlinit”.

“Çështja është si ta përdorim energjinë e investuar në të dyja proceset dhe t’i përdorim së bashku. Mund të diskutojmë pse është e mirë t’i kemi 6, e jo 3. Kjo është arsyeja pse Ballkani i Hapur nuk mund të përmbush këtë ose atë. Kështu që përdor gjënë e mirë që vjen nga kjo”.

Lidhur me veprimet e autoriteteve serbe për anulimin e vizitës së zëvendëskryeministrit Besnik Bislimi në Beograd, ka reaguar Srdjan Cvijiq, presidenti i Komitetit Këshillues Ndërkombëtar të Qendrës beogradase për Politika të Sigurisë, që po e organizon konferencën për siguri në kryeqytetin serb, e ku të premten parashihej pjesëmarrja e zyrtarit të lartë qeveritar.

“Paneli përmbyllës i ditës së nesërme kishte paraparë pjesëmarrjen e zëvendës kryeministrit Besnik Bislimi, që do të ishte zyrtari më i lartë qeveritar nga Kosova që do të vinte në Beograd. Por për fat të keq z. Bislimi dhe delegacioni i tij, edhe pse javën e kaluar kanë dërguar një kërkesë zyrtare tek pala serbe dhe vizita është aprovuar përfshirë pjesëmarrjen në këtë konferencë, delegacioni ka hyrë në Serbi në orën 1 pasdite dhe janë ndaluar 1 orë para se të mbërrinin në Beograd dhe janë urdhëruar që të shkojnë prapa në Kosovë. Arsyeja e dhënë ka qenë shqetësimi për sigurinë dhe z.Bislimi dhe kabineti i tij nuk besojnë se këto shqetësime janë të vërteta", ka thënë Cvijiq para pjesëmarrësve në panelin “Ballkani i Hapur dhe Procesi i Berlinit – Labirinti i Bashkëpunimit Rajonal”.

Për “shkaqe sigurie”, Bislimi nuk u lejua të merrte pjesë nga autoritetet serbe në këtë tryezë. Ai u kthye në hyrje të Beogradit.