Arbëri

Kuvendi mban sot seancë, do të votohet për masat e përkohshme të produkteve themelore

Deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sot në një seancë të re plenare.

Sipas njoftimit të Kuvendit, seanca do të mbahet nga ora 10:00.

Pas deklarimeve jashtë rendit të ditës dhe pyetjeve parlamentare, në këtë seancë deputetët pritet të votojnë në parim projektligjin për masat e përkohshme të produkteve themelore në raste të veçanta të destabilizimit në treg, projektligjin për mbështetjen e punëve publike, si dhe projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit për noterinë.

Në lexim të dytë ndërkaq, pritet të votohet projektligji për Qeverinë e Republikës së Kosovës.

Pika të rendit të ditës do të jenë edhe votimet e rekomandimeve të dala nga shqyrtimi i Raportit të Auditimit për pasqyrat financiare vjetore të Radiotelevizionit të Kosovës për vitin 2021 dhe Raportit të Auditimit të performancës “Menaxhimi i fondeve publike në Radiotelevizionin e Kosovës”, për të vijuar me shqyrtimin e Propozim-rezolutës kundër sulmeve ndaj integritetit seksual.

Seanca do t’u kthehet sërish projektligjeve, për të shqyrtuar për herë të parë projektligjin për faljen e masave ndëshkimore të vendosura gjatë periudhës së Pandemisë COVID-19, si dhe atë për vlerësimin e ndikimit në mjedis.

Punimet e seancës plenare do të vazhdojnë me shqyrtimin e raportit vjetor financiar të Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2021, shqyrtimin e rekomandimeve të Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike lidhur me Raportin e Auditimit të Përgjithshëm për Raportin vjetor financiar të Buxhetit të Republikës së Kosovës për vitin 2021, shqyrtimin e Raportit vjetor të Fondit të Kursimeve Pensionale të Kosovës për vitin 2021, propozimin e GP “Multietnik” dhe GP të LVV-së për zëvendësimin e anëtarëve në komisionet parlamentare, për të përfunduar me formimin e Komisionit Ad-Hoc për përzgjedhjen e kandidatëve për një anëtar të Bordit për Ankesa të Mediave.