Arbëri

Sopjani: 17 për qind e popullsisë në Kosovë jeton në varfëri

Rreth 17 për qind e popullsisë në Kosovë jeton në varfëri dhe 5 për qind e saj i takon varfërisë së skajshme.

Koordinatorja e programit për mirëqenie sociale në Kryqin e Kuq të Kosovës, Antigona Sopjani, ka njoftuar të hënën, në Ditën Ndërkombëtare Kundër Varfërisë, se kategoritë e varfra janë të ndara, ndërsa së fundmi këtyre kategorive u janë shtuar edhe të moshuarit e vetmuar.

“Jemi një ndër vendet më të varfra në rajon dhe kemi një numër mjaft të madh të popullatës që është në gjendje të varfër. Sipas statistikave, rreth 17 për qind e popullsisë jeton në varfëri dhe 5 për qind e saj jeton në varfëri të skajshme. I kemi të ndara në kategori të gjitha familjet nevojtare dhe pjesa më e prekur janë familjet me numër të madh të anëtarëve dhe pa asnjë të punësuar, ata që kanë persona të sëmurë dhe nënat vetushqyese. Kohëve të fundit një kategori është shtuar e që më herët nuk ka qenë prezentë, është pleqtë e vetmuar që tashmë po shtohet numri i tyre për shkak të ikjes së rinisë jashtë vendit”, ka thënë ajo në emisionin “60 Minuta” në KTV, të hënën.

Sopjani ka bërë të ditur se në Kryq të Kuq kërkohen kryesisht artikuj ushqimor, ndërsa artikujt të cilët nevojiten më shumë janë ata në gjendje të ngurtë për shkak të afateve të kufizuara.

“Dhurimi më së shumti nevojitet në artikujt ushqimor që janë të ngurtë jo të lëngshëm për shkak të afateve të kufizuara, kryesisht të jenë produkte bazike. Mobilizohemi që brenda 24 orëve t’i shpërndajmë produktet e lëngshme. Nevoja jonë tani për tani është një depo qendrore me kushte standarde për ruajtjen e këtyre artikujve, por kërkohet standard më i lartë për atë nuk kemi arritur ta bëjmë ende”, ka shtuar ajo.

Donatorët e Kryqit të Kuq, Sopjani ka thënë se janë vendorë edhe ndërkombëtarë.

“Donatorët i kemi të përzier, vendorë dhe ndërkombëtarë, por duke parë që Kosova nuk është zonë krize, donatorët ndërkombëtarë janë pakësuar. Rritja e inflacionit ka ndikuar edhe te donatorët, por ka prej tyre që janë të rregullt edhe pse jo me donacione të mëdha”, ka thënë ajo.