Numër i vogël i nxënësve i është përgjigjur pozitivisht vendimit të Ministrisë së Arsimit për kompensimin të shtunave të orëve të humbura në grevë. Derisa MASHTI vazhdon të jetë i prerë që orët të zëvendësohen, Këshilli i Prindërve ka insistuar që të gjendet një modalitet tjetër. Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës ka thënë se në 70 për qind të shkollave në vend nuk është mbajtur mësim këtë të shtunë
Vetëm një grup prej dhjetë apo pesëmbëdhjetë nxënësish është parë në mëngjesin e së shtunës në oborrin e shkollës fillore “Ismail Qemali” në Prishtinë tek loznin në fushën e sportit në kuadër të lëndës Edukatë Fizike.
Ishin disa nga 270 nxënësit e paktë që mbajtën mësim në këtë ditë vikendi për të kompensuar orët e humbura gjatë grevës, nga gjithsej 901 sa numëron kjo shkollë në ndërrimin e paradites.
Drejtoresha e shkollës, Mimoza Krasniqi, ka thënë se pavarësisht që mësimdhënësit ishin të pranishëm në shkollë, numri i nxënësve të klasave nga gjashtë deri në tetën, ishte tejet i ulët.
“Në përqindje, prej klasës së gjashtë deri në klasën e tetë, se klasat e nënta nuk kanë zëvendësim, 75 për qind e nxënësve kanë munguar. Një përqindje shumë e vogël ka qenë. Kemi katër-pesë klasa që nxënësit nuk kanë qenë prezentë. Domethënë mësimdhënësit janë munduar t’i mbulojnë të gjitha klasat, me i përfshi, me i mbajtë orët të cilat i kanë planifikuar. Është fjala për ciklin e lartë, 6-8”, ka thënë Krasniqi.
Lorenc Muçiqi, nxënës i klasës së shtatë, ka treguar se si e ka pritur vendimin për zëvendësim të orëve gjatë vikendit.
“Sot i kemi mbajtur 6 orë, por i kemi mbajtur me orar të shkurtuar edhe nuk më ka pëlqyer ideja që kemi pasur me ardhë të shtunën në shkollë edhe kam pritu me ardhë sot, me u zgju në mëngjes”, ka thënë 12-vjeçari.
Edhe në shkollën “Faik Konica”, është thënë se numri i prindërve që sollën të shtunën vogëlushët e tyre në shkollë, ka qenë i vogël.
Disa prej tyre që nuk pranuan të flasin para kamerës, i kanë treguar KOHËS se pavarësisht se kanë ardhur, kanë qenë të detyruar të kthehen në shtëpi së bashku me fëmijët, pasi shumicës së tyre u është pamundësuar mbajtja e mësimit si pasojë e numrit të vogël të nxënësve të pranishëm në klasë.
Zëvendësdrejtori i shkollës, Blerim Dalipi, ka thënë se është vetëm ky grup i nxënësve nga ndërrimi i dytë që i janë përgjigjur thirrjes për mësim. Ka shtuar se në ndërrimin e paradites, nga 229 nxënës janë lajmëruar vetëm 32.
“Disponimi i mësimdhënësve ishte që të fillojë procesi mësimor mirëpo në mungesë të nxënësve, vetëm njëra prej paraleleve në shkollën tonë ka zhvilluar mësimin me vetëm 10 nxënës brenda përbrenda shkollës. Ndërsa të tjerët kanë qenë kryesisht nga 1-2 nxënës. Dhe pasi kanë ardhur në shkollë, kanë shkuar mësimdhënësit në orë të mësimit, por e kanë parë që vetëm orën e parë e kanë mbajtur, pastaj nxënësit kanë kërkuar që të largohen dhe të shkojnë në shtëpitë e tyre në mungesë të shoqërisë apo nxënësve të tjerë brenda klasës”, ka thënë Dalipi.
KOHA ka mësuar se edhe në shkollën “Naim Frashëri”, shumica e prindërve kanë votuar kundër mbajtjes së mësimit.
Se vijimi i mësimit këtë të shtunë ishte gjysmak, e kanë pohuar edhe në Këshillin e Prindërve.
Salie Osmankaq, nga ky këshill, ka thënë se praktika e kompensimit të orëve gjatë të shtunave është dëshmuar si joproduktive.
“Marrë parasysh që çdo ditë e gjashtë e punës ose e shkollës është shumë e lodhshme për fëmijët, është po ashtu e lodhshme edhe për mësimdhënësit. Në anën tjetër, ne ju kemi bërë me dije edhe institucioneve edhe SBASHK-ut se vendimet që janë marrë si ai për të hyrë në grevë dhe si ai për të zëvendësuar ditët e humbura gjatë vikendit, është bërë pa konsultim me palët e interesit që në këtë rast janë prindërit që nuk janë pyetur për asgjë”, ka thënë Osmankaq.
Osmankaq ka thënë se orët do të duhej të zëvendësoheshin në fund të qershorit, kur edhe përfundon viti shkollor, si dhe gjatë pushimit pranveror.
“Neve na vjen keq që fëmijët janë gjetur në këtë mes katrahurash ta quajmë, nëse mund ta quaj ashtu. Dhe në këtë mes ku nuk ka vendime të qarta dhe të sakta, secila palë po vepron ashtu siç po do vetë. Siç ka dashur SBASHK-u ashtu ka vepruar e pastaj siç ka dashur ka vepruar Qeveria duke mos i pyetur prindërit”, ka thënë tutje Osmankaq. “Në të tashmen nëse do të dërgohen në shkollë apo jo kjo është në dorë të prindërve dhe janë prindërit ata të cilët po i qëndrojnë njoftimit të tyre që e kanë bërë me kohë, që kur kishte filluar greva, që greva të ndërpritet sa më parë, të mos humben orët e mësimit, të mos humben ditët e mësimit, sepse ‘ne nuk mund t’i dërgojmë fëmijët në shkollë’”.
Në MASHTI kanë thënë se në ditët në vijim do të informohen saktë edhe prindërit për kalendarin e ri shkollor.
“Inspektorati i Arsimit është duke i përpunuar të dhënat në lidhje me procesin mësimor të zhvilluar sot. Nga të dhënat e para të Inspektoratit rezulton se, një pjesë e madhe e mësimdhënësve në nivel vendi kanë qenë në vend të punës dhe e kanë zbatuar kalendarin shkollor. Sa i përket numrit të nxënësve, kjo varion nga shkolla në shkollë dhe nga komuna në komunë. Megjithatë, ditët në vijim do të punohet me drejtoritë komunale të arsimit dhe shkollat për t’i informuar saktë edhe prindërit për kalendarin e ri shkollor. Vlen të theksohet se edhe shkollat e kanë obligim që t’i evidentojnë në ditar nxënësit të cilët mungojnë”, thuhet në përgjigjen e MASHTI-t për KOHËN.
KOHA ka pyetur DKA-në në Prishtinë për mbarëvajtjen e mësimit, por nuk ka marrë sqarime.
Të shtunën vonë, nëpërmjet komunikatës për media, Sindikata e Bashkuar e Arsimit, Shkencës dhe Kulturës, ka thënë se në 70 për qind të shkollave në vend nuk është mbajtur mësim këtë të shtunë, sipas kalendarit të ri shkollor të vendosur nga Ministria e Arsimit, për t’i kompensuar orët e humbura si pasojë e grevës në shtator. Ka thënë se edhe në ato shkolla që mbajtën mësim, numri i nxënësve ishte tepër i vogël.
Kjo sindikatë ka kërkuar nga Ministria e Arsimit që të mbajë takim urgjent me përfaqësues të drejtorive komunale, të Këshillit të Prindërve e SBASHK-un që të arrihet marrëveshje për t’i kompensuar orët në forma të tjera.
“Nëse nuk veprohet kështu, atëherë do të kemi situatë të njëjtë edhe në të shtunat e tjera e aq më shumë edhe në ditët e rregullta të punës procesi mësimor nuk do të ketë rrjedhë të mbarë nga debatet që do të zhvillohen lidhur me çështjen e orëve e ditëve të humbura në grevë”, shkruhet në komunikatën e SBASHK-ut.
Të premten, drejtoritë e Arsimit u kanë kërkuar shkollave që t’i përmbahen kalendarit shkollor të miratuar nga MASHTI. Dy ditë më parë, Ministria e Arsimit paralajmëroi se të shtunën do të jenë në terren inspektorët e arsimit për të parë mbarëvajtjen e procesit mësimor.
E të enjten, edhe kryetari i SBASHK-ut, Rrahman Jasharaj, në një konferencë për media bëri të ditur se zëvendësimi i orëve nuk do të bëhet derisa Ministria t’i ftojë në takim sindikalistët.
Janë 22 ditë të humbura të kalanderit shkollor si shkak i grevës së mësimdhënësve. Përmes kësaj greve, e cila u pezullua në fillim të këtij muaji pa ndonjë marrëveshje, nga Qeveria është kërkuar rritje prej 100 eurosh në pagë për çdo muaj, deri në hyrjen në fuqi të Ligjit për paga.