Arbëri

Opozita vlerëson fjalimin e Ramës në KiE: Kosova duhet ta falënderojë

Opozita e ka vlerësuar fjalimin e kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama, të mërkurën në Asamblenë e Këshillit të Evropës, ku foli për Kosovën dhe akuzat ndaj ish-luftëtarëve të UÇK-së.

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Memli Krasniqi, ka thënë se është fat për Kosovën që Shqipëria e ka një kryeministër si Edi Rama.

“Është fat i madh për Kosovën që në këtë periudhë sfiduese, Shqipëria ka një kryeministër si Edi Rama - i cili nuk e humb asnjë mundësi që i jepet për të mbrojtur Kosovën, luftën tonë çlirimtare dhe të drejtën tonë të patjetërsueshme për liri dhe pavarësi. Faleminderit Kryeministër Rama për qëndrimin dinjitoz dhe dashurinë e pakushtëzuar për Kosovën. Populli i Kosovës të është mirënjohës!

Ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka thënë se Rama tha një të vërtetë të madhe në Asamble, duke shtuar se ai meriton përkrahjen dhe falënderimin e Kosovës.

Asamblenë e Këshillit të Evropës u tha një e vërtetë e madhe nga goja e Kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama. Sot, ai ishte zëdhënës me plot dinjitet i të vërtetës për Kosovën dhe luftëtarët e saj të lirisë. Edi meriton përkrahjen dhe falënderimin tonë, të atyre që e duan dhe nuk e duan, sepse ai foli me argumente, kurse disa nga ne na ka kapluar urrejtja dhe inati primitiv. Edi u vu në mbrojtje të Kosovës, derisa udhëheqësit tanë po mbrojnë kolltukët e tyre”, ka shkruar Mustafa në Facebook.

Edhe ish-kryeministri, njëherësh deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Avdullah Hoti, ka thënë se Shqipëria mbetet zëri i Kosovës, derisa shteti të anëtarësohet në mekanizmat ndërkombëtarë.

“Faleminderit Kryeministër Edi Rama për fjalën në Këshillin e Evropës. Derisa Kosova ?? të anëtarësohet në mekanizmat ndërkombëtarë, Shqipëria ?? mbetet zëri ynë, krahas vendeve mike që kanë mbështetur përpjekjet e popullit të Kosovës për liri e pavarësi”, ka shkruar Hoti në Facebook.

Rama deklaroi në Asamblenë e Përgjithshme të Këshillit të Evropës, se ish-ushtarët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, bënë luftë të pastër dhe të ndershme, ndërsa tha se akuzat që iu ngritën, ishin pjesë e imagjinatës njerëzore.

Ai u bëri thirrje vendeve perëndimore t’i rrëzojnë akuzat e ngritura ndaj ish-luftëtarëve të UÇK-së, në Dhomat e Specializuara.