Fjalimi i së mërkurës i kryeministrit të Shqipërisë, Edi Rama në Asamblenë e Këshillit të Evropës, është duartrokitur në Kosovë., kryesisht nga partitë opozitare.
Ndërkohë, ai fjalim i gjatë, ku u fol për raportin e Dick Martyt dhe për burgosjen e krerëve të luftës nga Specialja, nxiti reagimin e Serbisë.
Përfaqësuesja e Serbisë Elvira Kovaq, në Këshill të Evropës, tha se ndjehet “e tronditur” nga ajo çfarë ka dëgjuar, përcjell Ksp-ja.
“Në emër të grupit jam e tronditur, kjo ishte mungesë respekti ndaj kësaj organizate. Raporti që ju përmendët ishte raport jo nga Serbia apo Rusia, por raport i kësaj organizate dhe është miratuar nga shumica dërrmuese. Kam këtu 15 vjet dhe kurrë nuk kam përjetuar diçka të tillë”, ka thënë ajo.
Duke ju përgjigjur kritikave, Rama tha se anëtarët që dikur e miratuan raportin në të cilën përmendej trafikimi i organeve bënë një gabim, por sipas tij tani duhet parë e vërteta se nuk ka pasur asgjë që ka të bëjë me trafikim të organeve.
Rama iu referua raportit të ish-eurodeputetit Marty, në bazë të cilit edhe u themelua Specialja që sot po gjykon krerët e UÇK-së.
“U sugjeroi të gjithë atyre ta lexojnë e ta lexojnë sërish e sërish se do të gjejnë aty shumë qartësisht pse jam këtu dhe se sa shumë e respektoj këtë institucion. Por besoj fuqishëm se një prej virtyteve të institucioneve demokratike është të jetë i përulur kur sheh nga vetja dhe për të pasur pjesën e duhur të autokritikës. Nuk i akuzova për asgjë paraardhësit tuaj, i kuptoj ata, nëse do të isha një prej tyre dhe do të më ishte thënë nga një apo disa anëtarë këtu se ekziston dyshimi për trafikim të organeve njerëzore sigurisht që do të votoja siç bënë ata, dhe do të bëja të njëjtin gabim si ata, por jemi 11 vjet pas, ku janë organet që u trafikuan, nuk ka”, ka thënë Rama për raportin e Dick Martyt. /ksp