Arbëri

Beteja për 7 hektarët - dy institucione e lëshojnë me qira për palë të ndryshme

Agjencia Pyjore e Kosovës dhe Agjencia Kosovare e Privatizimit kanë lëshuar dy vendime të ndara për dhënien me qira të një prone me shtatë hektarë në Batllavë. Derisa Agjencia e Pyjeve ka nënshkruar kontratë me kompaninë “Sirius” dhe me një person tjetër fizik, ajo e Privatizimit e ka nxjerrë një vendim që ia aprovon qiranë Federatës së Futbollit të Kosovës (FFK). Edhe pse vendimi nuk është i formës së prerë, ai nuk e ka penguar FFK-në ta konsiderojë veten shfrytëzuese dhe të kërkojë përjashtimin e palëve të tjera. Në mes të kësaj katrahure është shfaqur edhe KEK-u, që për shumë vjet thotë se e ka menaxhuar atë pronë

Kompleksi me gjashtë vila dhe një restorant i ndërtuar prej vitesh pranë digës së Liqenit të Batllavës ka mbetur i boshatisur. Shtëpizat e ndërtuara nga druri janë stërkequr dhe nuk vlejnë gjë, ashtu si edhe pishina që mezi shihet nga shkurret dhe barishtet që kanë ngritur shtat në “tokën e askujt”. I ndërtuar në vitet ’60, kompleksi që gjendet në zonën kadastrale Batllava të Komunës së Podujevës, rreth 30 kilometra larg Prishtinës, është lënë në harresë për afro dy dekada.

Por gjendja e mjerueshme nuk i ka trembur palët e interesuara për marrjen në shfrytëzim. Përkundrazi.

Dy vjet më parë, Agjencia e Pyjeve e cila i menaxhon tokat pyjore dhe pronat e ekonomisë pyjore, kishte lidhur dy kontrata. Kontrata e parë është me kompaninë “Sirius” për shfrytëzim të hapësirës prej 7 hektarësh për periudhë 5-vjeçare në kuadër të së cilës është kompleksi. Dhe e dyta, me Bujar Zeqirin, për hapësirën 1.3 hektarë ngjitur me të parën.

Telashet filluan pasi kompania “Sirius” kishte marrë pëlqimin për rinovim nga Komuna e Podujevës dhe nga Ministria e Mjedisit, duke filluar punën në rinovim.

Ndërkohë, në shesh doli edhe një vendim i Agjencisë Kosovare të Privatizimit që aprovon qiranë për Federatën e Futbollit të Kosovës, e që kontrata nuk u bë asnjëherë e as pretendimet e KEK-ut që është menaxhues i kësaj prone.

Pretendimet e më pas tërheqja e KEK-ut

Kompleksi para luftës ishte shfrytëzuar nga Korporata Energjetike e Kosovës, ku punëtorët e saj e shfrytëzonin për pushime dhe rekreacion.

Pas luftës aty kanë qëndruar rojat e kësaj ndërmarrjeje të cilat kujdeseshin për pronat që janë në afërsi të Liqenit e për të cilat në KEK thonë se ishin blerë.

Përfshirja e palëve të tjera i ka shtyrë drejtuesit e KEK-ut që të reagojnë. Në mars të vitit 2021, ushtruesi i detyrës së kryeshefit të KEK-ut, Përparim Kabashi, i ishte drejtuar Ministrisë së Bujqësisë dhe asaj të Ekonomisë me një letër, duke pretenduar se kjo ndërmarrje menaxhon me aspektin e sigurisë dhe është pronare e shumicës së tokave pyjore dhe bujqësore rreth Liqenit të Batllavës.

“KEK-u ka trashëguar gjendjen faktike të mbi 60 vjetëve të pronave të eksproprijuar në vijën përkufizuese brenda zonës së eksproprijimit të çfarëdo marrëveshjeje për dhënien e pronave me qira për ndërtim me persona fizikë dhe me kompani publike, përfshirë ish-ndërmarrjen shoqërore ‘Javor’ (ish-PIK), do ta afektojnë në tërësi Liqenin e Batllavës, zonën e mbrojtur dhe mund të ketë ndikim në shumë ligje dhe rregulla të tjera që rregullojnë zonat e mbrojtura për rreth liqeneve dhe lumenjve”, thuhet në letrën e Kabashit.

Sipas tij, APK-ja nuk ka bazë ligjore për të ndryshuar kulturat dhe për të dhënë me qira për ndërrim pronat pyjore palëve të treta, e aq më pak pa aplikuar asnjë procedurë ligjore.

Por, në përgjigjen e APK-së të cilën e ka siguruar KOHA thuhet se bazuar në Ligjin për pyjet e Kosovës, Agjencia është përgjegjëse për çështjet që ndërlidhen me rregullimin e pyjeve, tokave pyjore private, menaxhimin dhe administrimin e pyjeve dhe tokave pyjore publike, si dhe pyjeve në parqet nacionale.

“Pretendimet që në këto ngastra ka menaxhuar KEK-u dhe të njëjtat konsiderohen që mund të jenë të ekspozuara nuk qëndron, sepse ju e dini që të gjitha ngastrat e tjera të ekspozuara evidentohen si prona të KEK-ut, në të cilat APK-ja nuk zhvillon asnjë aktivitet. Se pretendimet tuaja për këto ngastra nuk qëndrojnë e argumenton edhe certifikata e pronësisë e Agjencisë Kadastrale të Kosovës, ku ngastra e pretenduar nga ju figuron si pronë e ish-ndërmarrjes ‘Javor’, e cila është nën menaxhimin e APK-së”, thuhet në kundërpërgjigjen e APK-së që mban datën 25 mars.

Agjencia e Pyjeve me kërkesë të kompanisë “Sirus” për pengesat që kishte hasur në shfrytëzim të pronës së kontraktuar, më 8 janar 2021 i ishte drejtuar Drejtorisë Qendrore të Inspektoratit për Pylltari dhe Gjueti. Kjo drejtori më pas kishte angazhuar inspektorët që veprojnë në kuadër të saj.

Pas inspektimeve që ishin bërë më 10 shkurt dhe më 3 mars, kjo drejtori i ka dhënë afat 30 ditë KEK-ut që t’i dorëzojë dokumente që vërtetojnë se shfrytëzimi i pronës është i ligjshëm.

“E njëjta ka dështuar në ofrimin e këtyre dokumenteve dhe inspektorët kanë ardhur në përfundim se kjo pronë nga KEK-u është duke u shfrytëzuar në mënyrë të paligjshme përmes uzurpimit”, thuhet në vendimin e inspektorëve që mban datën 21 prill, dhe KEK-ut i ishte dhënë afati për lirimin e pronës nga njerëzit dhe nga mjetet, në mënyrë që t’i krijohet mundësia për shfrytëzim të pronës “Sirusit”.

KEK-u kishte njoftuar se tërhiqet nga prona duke kërkuar nga Ministria e Mjedisit që të verifikojë kontratën APK-së.

Por pos KEK-ut në atë pronë është shfaqur edhe Federata e Futbollit e Kosovës. Bazuar në një vendim që ia kishte lëshuar Agjencia Kosovare e Privatizimit, që aprovonte dhënien me qira të kësaj prone për FFK-në, ky institucion kishte kërkuar që ndërtimi i kampit të mos bëhej pa marrjen e pëlqimit për ridestinim të tokës nga pyjore në ndërtimore.

Ky artikull është në dispozicion për t’u ritransmetuar nga mediume të tjera, duke e cituar KOHËN si burim.

(Nesër lexoni për dyshimet për përgatitjen e terrenit për FFK-në, hetimet për lidhjen e dy kontratave nga Agjencia e Pyjeve, si dhe vendimin e AKP-së për Federatën)