Me vetëm një automjet barten nëpër shtëpitë e tyre dhe anasjelltas rreth 30 pacientë me dializë të rajonit të Mitrovicës.
Tek pret në radhë para Repartit të Hemodializës, Hatixhe Brahimi nga fshati Kçiq i kësaj Komune tregon për pritjet dhe vështirësitë, kur është në pyetje transporti.
“Qe një muaj jemi kështu. Duke pritur, herë me atë veturë, herë ai tjetri shofer me kerr të vet ka ardhur na ka marrë dy herë. Tash me këtë kombi, kështu. Me ndihmë të shpejtë, gjithqysh. Edhe duhet të presim. Pardje kam shkuar në ora 13:10 në shtëpi, gjithë me orar që është për të shkuar në 12 e 10 ose 15. Tash një ka për t’u bërë kështu duke pritur kerre. Me një kerr 30 veta”, tha Brahimi.
Shqetësim të njëjtë ndajnë edhe pacientët e tjerë që marrin terapinë tri herë në javë. Disa prej tyre janë detyruar që zgjidhje të bëjnë nëpërmjet veturave personale.
“I përcjelli pacientët nganjëherë në shtëpi. Nga dy-tre km i dërgoj larg. Puna që është problemi për kerret për këta të tjerët për mua nuk është problem. Unë e kam veturën pickup, unë nuk vuaj. A këta të tjerët heqin shumë herë, jo vetëm tash”, u shpreh Bashkim Haxha, pacient.
Nefrologu Bashkim Hasani thotë të kenë njoftuar për këtë problem Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare dhe Drejtorinë e Shëndetësisë në Komunën e Mitrovicës, si institucione përgjegjëse për sigurim të transportit të pacientëve me dializë.
“Besoj që në një të ardhme të afërt, se ne e kemi thirrur drejtorin e Drejtorisë për Shëndetësi të Komunës së Mitrovicës sepse këtë problem na e kanë raportuar vetëm pacientët e dializës që janë nga regjioni i Mitrovicës. Ata na kanë thanë se për një kohë shumë të shkurtër do të bëjnë zgjedhje për këtë çështje”, pohoi Hasani.
Por, në Drejtorinë për Shëndetësi kanë thënë të jenë informuar për këtë çështje tek pas interesimit të KOHËS. Kanë treguar se deri më tani kanë operuar me dy automjete, porse njëri prej tyre ka pësuar defekte qe disa ditë.
“Ne në planifikimet buxhetore për vitin 2023 e kemi planifikuar mjetet për blerjen edhe të një automjeti për transportin e pacientëve për procesin e dializës dhe besoj që këtë problem do ta zgjidhim në mënyrë të duhur dhe të favorshme për pacientët tanë. Megjithatë unë e kam angazhuar drejtorin e QKMF-së që për ditët e ardhshme të angazhohet të gjejë automjete të tjera në mënyrë që pacientët që janë në procesin e dializës të mos kenë asnjë shqetësim, të marrin trajtimin me kohë dhe sipas planit të tyre pa asnjë vonesë”, deklaroi Fhri Shabani, drejtor i Shëndetësisë në Mitrovicë.
Pacientët janë ankuar se edhe me automjetin e vjetër kanë pasur telashe. E për defektet e njërit automjet, edhe në QKMF i kanë thënë KOHËS se nuk kanë qenë të informuar.