Kryetari i Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj, ka reaguar ndaj deklaratës së kryeministrit Albin Kurti, i cili tha se aksionin me miell ndaj ministrit të Financave, Hekuran Murati, PSD-ja e zhvilluar nga inati.
Sipas Molliqajt, Kurti nuk e ka hallin te inati, por se PSD-ja vepron jashtë domenit të tij hegjemonik.
“Nuk e ka hallin te inati i kujtdo. Madje do të dëshironte të ishte veç inati, që sulmi që bëri të ishte më i pranueshëm në opinion. Sikletin e ka që PSD vepron jashtë domenit të tij hegjemonik. Opozitarizmi ynë nuk ndikohet dhe as frikësohet ndaj kërkesës së tij për dëgjueshmëri. Është e njëjta arsye pse i ka hipur në qafë sindikalistëve”, ka shkruar Molliqaj në Facebook.
Ai shtoi se Kurti aty ku nuk mund t’i nënshtrojë përpjekjet, mundohet t’i depolitizojë.
Molliqaj më tej ka kërkuar nga Kurti që ta plotësojë kërkesën e punëtorëve për shtesa prej 100 eurosh deri në miratimin e Ligjit për Paga.