Arbëri

Punëtorëve të QKMF-së nuk iu dalin pagat, Makolli thotë se Qeveria po i diskriminon

Kryetari i Shoqatës Sindikale të Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Prishtinë, Sherif Makolli, ka akuzuar Qeverinë e Kosovës për diskriminim pasi thotë se punëtorët shëndetësorë janë futur në një kategori me ata që janë në grevë pa ndonjë justifikim.

Makolli shton se pavarësisht tentimeve për të komunikuar me Qeverinë, ata nuk kanë marrë përgjigje të qartë.

“Nuk kanë dalë pagat. S’kemi pas mundësi të komunikojmë me Qeverinë. Dje kemi tentuar, por pa rezultat. Një lajm i saktë nuk na është konfirmuar. Kemi kontaktuar përmes zyrës së FSSHK-së me ministrin e Financave, mandej në Thesar, ata na thonë diçka me lista. Por neve na interesojnë pagat, pasi gjendja financiare e punëtorëve është shumë e rëndë”, ka thënë Makolli në “60 Minuta” të KTV-së.

Kreu i Sindikatës së Punonjësve të QKMF-së tutje alarmon se gjendja sociale e punëtorëve shëndetësorë është e mjerueshme në këtë kohë krize.

“Është një lajm shumë i keq. Punëtorët s’kanë zgjidhje, kanë kreditë, obligime. Gjendja sociale është e mjerueshme. Ne nuk jemi në greva, prandaj vonesa e pagave nuk justifikohet. Ky është një diskriminim. Nuk e kuptoj pse me u fut me një kategori me ata që janë në grevë”, shtoi ai.

Makolli paralajmëroi se nëse as të hënën nuk dalin pagat, do të merren masat konform veprimeve sindikale.

Gjatë pauzës të premten, punëtorët e QKMF-së në Prishtinë protestuan para Qeverisë për ndaljen e pagave.