Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur të enjten në takim ushtruesen e detyrës së Shefes së Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Anna Carin Platon dhe ambasadorët e shteteve të QUINT-it.
Sipas njoftimit të zyrës së kryeministrisë, duke folur për takimin e datës 18 gusht në Bruksel, kryeministri Kurti ka theksuar se Kosova ka treguar vullnet dhe gatishmëri për t’u angazhuar në një dialog parimor dhe të përgatitur mirë, drejt një marrëveshjeje që në qendër ka njohjen reciproke.
Në njoftim thuhet po ashtu se përfaqësuesit e QUINT-it dhe të Zyrës së BE-së e falënderuan Kurtin për angazhimin pozitiv dhe konstruktivitet në takimin në Bruksel.
“Ai prezantoi elementet e gjashtë kapitujve të Kornizës së Përgjithshme të marrëveshjes së ardhshme me Serbinë, për normalizim të plotë të marrëdhënieve me njohje reciproke në qendër. Përfaqësuesit e QUINT-it dhe Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë e falënderuan Kryeministrin Kurti për angazhimin pozitiv dhe konstruktivitetin në takimet në Bruksel. Në takim u bisedua edhe për marrëveshjen për targat, për zhvillimet politike në vend si dhe situatën politike në rajon”, thuhet në njoftim.
Një ditë më parë, kryeministri Kurti ka zhvilluar takime edhe me të dërguarin e SHBA-së për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe emisarin e BE-së për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak.