Mosdeklarimi apo deklarimi i rrejshëm i pasurisë nuk është pista e vetme e Prokurorisë në hetimet ndaj ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.
Agjencia Kundër Korrupsionit disa ditë me parë ka dorëzuar në Prokurorinë e Shtetit një kallëzim penal që trajton vetëm çështjen e deklarimit të pasurisë, por burime të ndryshme i kanë thënë televizionit që një hetim tjetër preliminar në lidhje me këtë rast nga po ky institucion ka nisur muaj më parë dhe së hetuesia po punon në disa pista, në drejtim të zbardhjes së këtij rasti.
Muaj me parë Berishaj u përfol si pjesë e skandalit financiar që u zbulua në Slloveni, ku mediat sllovene raportuan se ai i ka bartur para kesh rreth 600 mijë euro nga kompania e tij në Mal të Zi tek një politikan slloven.
KOHA e di se cili prokuror special është i ngarkuar me këtë rast dhe çfarë veprimesh hetimore janë ndërmarrë gjatë këtyre muajve, por për shkak të mosdëmtimit të hetimeve nuk po i publikon këto informata.
KOHA e ka kontaktuar avokatin e Berishajt, Tomë Gashi, por ai ka deklaruar që nuk ka ndonjë informatë për ndonjë hetim të tillë nga Prokuroria Speciale.
Ndonëse hetim preliminar, veprat penale që kanë të bëjnë me pastrim parash janë kompetencë ekskluzive e Prokurorisë Speciale. Një gjë e tillë përcaktohet me Ligjin për Parandalimin e Pastrimit të Parave dhe Luftimin e Financimit të Terrorizmit.
“1. Veprat penale të pastrimit të parave dhe financimit të terrorizmit të përshkruara në nenet 56 dhe 57 të këtij ligji hyjnë në kompetencën ekskluzive të Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës, të themeluar me Ligjin mbi Prokurorinë Speciale të Republikës së Kosovës”, thotë Ligji.
Vepra penale e pastrimit të parasë dënohet deri me 10 vjet burg e po ashtu mund të shqiptohet gjobë që ka vlerë deri në tri herë me të madhe se vlera e pasurisë që është objekt hetimi.
Hetimet për veprën penale të pretenduar shtrihen jashtë Kosovës, por ligji i miratuar në vitin 2016 u jep institucioneve juridiksion edhe jashtë.
“Gjykatat e Kosovës mund të kenë juridiksion mbi veprën penale të pastrimit të parave madje edhe nëse ato nuk kanë juridiksion territorial mbi veprat e ndërlidhura penale prej të cilave është nxjerrë pasuria e fituar me anë të veprës penale të pastrimit të parave, ngaqë ka qenë kryer jashtë Kosovës”.
Muaj më parë u raportua për dyshimin se Berishaj i ka transferuar rreth 600 mijë euro nga një llogari bankare në Mal të Zi, në xhirollogaritë e politikanit slloven Robert Golob, tash kryeministër.
Më pas autoritetet në Mal të Zi ia patën bllokuar xhirollogaritë bankare të kompanisë “MB Consulting”, që është në pronësi të ambasadorit të Kosovës në Kroaci, Martin Berishaj.
Por, ai kishte mohuar të ketë marrë pjesë në pastrimin e parave.
E, ministrja Donika Gërvalla pati thënë se nuk është konstatuar ndonjë shkelje që ka bërë ai.