Arbëri

Kurti takohet me përfaqësuesit e BE-së dhe shteteve të QUINT-it për dialogun

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka takuar përfaqësuesin e Posaçëm të Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomáš Szunyog, dhe ambasadorët e shteteve të QUINT-it të martën, në prag të takimeve në Bruksel.

Në takim u bisedua për takimet e ardhshme në Bruksel si dhe proceset e çështjet lidhur me dialogun ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Serbisë.

“Gjatë takimit u theksua përkushtimi për vazhdimin e bashkëpunimit dhe bashkërendimit ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe përfaqësuesve të Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Gjermanisë, Mbretërisë së Bashkuar, Francës dhe Italisë”, ka njoftuar Kryeministria.

Në takim mori pjesë edhe zëvendëskryeministri Besnik Bislimi.