Arbëri

Sindikata e Aviacionit Civil pretendon se po përndiqet nga drejtori Bujar Ejupi

Sindikata e Autoritetit të Aviacionit Civil (SPAAC) ka pretenduar se të gjithë anëtarët e saj po përndiqen dhe shantazhohen nga drejtori i Aviacionit Civil (AAC), Bujar Ejupi.

Sipas Arianit Dobroshit, përfaqësuesit të SPAAC-it, Ejupi vazhdon edhe sot të bëjë presione ndaj anëtarëve të sindikatës.

“Ne jemi të sulmuar. Ne kemi pas stabilitet, zhvillim dhe qetësi për 10 vjet. Tash ky na dërgon në procedura disiplinore. Presioni ndaj anëtarëve tanë është i vazhdueshëm. Presioni vazhdon edhe sot përmes gjuhës, degradimit, mohimit të të drejtave në punë. Ka forma të ndryshme të presionit ndaj nesh. Na është mohuar avancimi në punë, na janë mohuar trajnimet, na janë mohuar udhëtimet”, ka thënë Dobroshi në “Interaktiv” të KTV-së.

Dobroshi thotë se qëllimi kryesor i Ejupit është “kapja e institucionit”.

Anëtari i SPAAC-ut është i befasuar me deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje, të cilët thotë se e votuan me nguti raportin vjetor për vitin 2021 të AAC-së, pavarësisht se pretendohet se raporti i tillë ka pasur shumë shkelje.

Në fund, Dobroshi u shpreh se shkarkimi i Ejupit është zgjidhja e vetme.

Për problemet me drejtorin e AAC-së, Sindikata i ishte drejtuar muajin e kaluar edhe Avokatit të Popullit, i cili kishte nxjerrë disa komente e rekomandime ku ndër të tjera kishte thënë se veprimet e menaxhmentit ndaj zyrtarëve krijojnë frikë dhe pasiguri dhe pengojnë lirinë e asocimit.