Arbëri

Bega: 5 eurot e para dy muajve sot vlejnë 2 euro, Qeveria përfituesja më e madhe

Ekonomisti Erton Bega deklaroi të martën se kartëmonedha 5-euroshe “mund të kthehet në monedhë”, pasi sipas tij, vlera e saj sot është e barabartë me 2 euro. Ai thotë se situata me çmimet në Kosovë është e paprecedentë, e Qeveria ka zgjedhur të heshtë përballë krizës, duke shtuar se ajo është përfituesja më e madhe.

“Situata është e rëndë, nëse e kontekstualizojmë tregun në Kosovë. Ne nuk kemi reaguar me masa që e zbusin inflacionin. Zakonisht kur shtetet ballafaqohen me inflacion, ndërhyjnë në treg. Shtetet kanë marrë masa duke hequr tatimin mbi vlerën e shtuar (TVSH-në), që çmimet të zbriten. Qeveria ka zgjedhur të heshtë përballë kësaj situate, është mjaftuar me rritje të buxhetit, por e ka përdorur për të promovuar një performancë pozitive”, deklaroi Bega në emisionin “SOT” në KTV.

Sipas ekonomistit, ndarja e 100 eurove nga Qeveria për qytetarët ka krijuar kundërefekt, derisa tha se paga minimale prej 170-eurosh nuk është e duhura për ta përballuar krizën.

“Rritja e buxhetit ka ardhur si pasojë e inflacionit, jo nga ndonjë performancë apo strategji. 100-eurot janë masë që kanë krijuar kundërefekt. Ajo nuk është masa e duhur që e lufton inflacionin. I kemi qytetarët që vazhdojnë t’i paguajnë çmimet e shtrenjta, i kemi bizneset që në momente të caktuara kanë spekuluar dhe e kemi Qeverinë që është përfituesja më e madh e kësaj situate, që i ka rritur të hyrat buxhetore. Më së shumti janë dëmtuar qytetarët, biznesi asnjëherë nuk është dëmtuar”, tha Bega.

Ai tha se situata është e rëndë, pasi pagat kanë mbetur të njëjta e çmimet janë rritur.

“Vazhdojmë të paguhemi njëjtë si në shkurt, sigurisht inflacioni e ka zvogëluar vlerën e parasë. Duke pasur parasysh që Kosova për një dekadë nuk ka ngritur skemat sociale sipas obligimeve që dalin nga ligji, qytetarët që vazhdojnë të paguhen me skemë sociale janë më të prekurit”, deklaroi ai.

Bega potencoi se një familje pesëantarëshe me pagë mesatare, në javën e katërt do të mbesë pa para. Ai tha se paga minimale do të duhej të ishte 340-350 euro, në mënyrë që kriza të përballohet me lehtë.

“Qeveria duhet të mendojë të ketë një rritje më 2023 të pagës minimale. Buxheti rritet si pasojë e shumë faktorëve, skemat sociale ku varen 25 mijë familje në Kosovë, duhet të rishikohen në vazhdimësi, për të qenë në harmoni me vlerën e parasë. Po presim që ligji të kalojë, pavarësisht që është i lidhur me disa kategori”, tha ai.