Arbëri

Nëse kalon ligji, gjysma e kontributdhënësve do të marrin më pak se 100 euro nga Trusti

Drejtori ekzekutiv i Institutit GAP, Agron Demi, ka njoftuar se 48.5 për qind e kontributdhënësve në Kosovë, do të mund të marrin mesatarisht nga 96.5 euro nëse Kuvendi i Kosovës aprovon Ligjin për tërheqjen e kursimeve pensionale, kërkesë kjo e Partisë Demokratike të Kosovës.

Në raportin e bazuar të Institutit GAP, Demi ka thënë se kjo mesatare është nxjerrë pasi 377.788 qytetarë kanë më pak se një mijë euro kursime në Trust.

Image

Raporti i publikuar nga GAP-i, tregon se me aprovimin e këtij ligji, Trusti do të obligohet të fillojë procedurat për shpërndarjen e deri 594 milionë eurove apo afër çerekun e mjeteve nën menaxhim të tij.

“Në rast të tërheqjes së parakohshme të kursimeve, rikuperimi i mjeteve do të merrte 8 vjet kohë, si dhe shterja e kursimeve pensionale në moshën e pensionimit do të shkurtohej për 2.2 vjet”, thuhet në raport.

Sipas të dhënave të publikuara nga ky institut, tërheqja e mjeteve do ua pamundësonte qytetarëve që në të ardhmen të blejnë anuitetin e jetës, e cila është një mundësi ku përmes pagesës së një premiumi, kontributdhënësit do të mund të pranojnë pension gjatë tërë jetës pas pensionimit.

“Shuma e nevojshme e kursyer e një kontributdhënësi/e për të blerë një anuitet minimal do të duhej të ishte rreth 25 mijë euro në kohën e pensionimit”, thuhet në raport.

GAP-i më tej ka njoftuar se injektimi i 594 milionë eurove në treg do të rëndonte edhe më tej situatën me çmime.

“Nëse e krahasojmë shumën e propozuar për tërheqje me peshën në konsumin familjar gjatë vitit 2021, injektimi i mbi 594 milionë eurove paraqet një potencial për rritje të konsumit prej mbi 9.2%”, thuhet në raport.

Iniciator për tërheqjen deri në 30 për qind të mjeteve nga Trusti, është Partia Demokratike e Kosovës.

Kjo parti bashkë me subjektin tjetër opozitar, Aleancën për Ardhmërinë e Kosovës më 16 maj kanë kërkuar nga Qeveria që sa më shpejt ta sjellë në Kuvend projektligjin për plotësimin dhe ndryshimin e Ligjit për Fondin e Kursimeve Pensionale. Dhe ai projektligj të enjten do të jetë para deputetëve.

Kërkesë është bërë me arsyetimin që t’u ndihmohet qytetarëve në përballjen e rritjes së çmimeve.