Arbëri

Abuzimi me çmimet monitorohet vetëm nga dy inspektorë të Ministrisë

Foto: Ilustrim

Foto: Ilustrim

Qytetarët po ankohen për mungesë reagimi nga ana e Qeverisë, pas rritjes së sërishme të tyre. Për ta, shqetësuese janë ndryshimet e shpejta e të shpeshta në çmimet e shportës së konsumit. Ata kanë kërkuar nga shteti të gjejë zgjidhje për t’i kontrolluar abuzimet me çmime ose në të kundërtën t’i rrisë seriozisht pagat e pensionet. Por, për ta kontrolluar abuzimin me çmimet e tregut, Ministria e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë ka vetëm dy inspektorë në marrëdhënie pune.

Abuzuesve të çmimeve Ministria e Ndërmarrësisë, Industrisë dhe Tregtisë po u përgjigjet me vetëm dy inspektorë.

Kaq ka gjithsej Inspektorati i Tregut në këtë dikaster qeveritar, në kohën kur kërkesat e qytetarëve për monitorim e inspektim janë shumë të mëdha.

Shporta familjare sërish ka pësuar ngritje çmimesh, të cilat po konsiderohen të papërballueshme nga qytetarët.

Çmimi i vajit prapë ka shkuar në tri euro, derisa ngritje është vërejtur edhe në sheqer, e së fundmi edhe te qumështi.

Por, ajo që qytetarët thonë të mos u ketë rënë në sy janë masat e Qeverisë për t’i ndalur abuzimet me çmime.

Të shqetësuar, qytetarët thonë se çmimet e produkteve të konsumit aktualisht nuk po kontrollohen nga askush.

“Vazhdimisht janë duke u ngritur çmimet pa kurrfarë kontrolli, çmimet nuk kanë kontroll, ato duhet të kenë kontroll të rritjes. Edhe muajt e kaluar, por edhe tash ka lëvizje të çmimeve shumë, ka rritje. A ka ndonjë dikaster kund që i kontrollon çmimet?”, ka thënë Sejdi Halimi, qytetar.

“Rritje të çmimeve ka pasur të buka, te vajrat motorike, këto më shumë që janë imediate për jetën e njeriut”, ka thënë Qëndrim Gashi, qytetar.

Aktualisht, inspektorët komunalë të tregut janë duke shqyrtuar 332 ankesa, të cilat kryesisht kanë të bëjnë me mashtrime në çmime.

Pavarësisht ankesave të qytetarëve, në një përgjigje për Kohën, në Ministrinë e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë thanë se në vazhdimësi po kontrollohen e inspektohen subjektet ekonomike për parregullsi potenciale.

“Inspektorati i Tregut/sektori i tregut i cili ka vetëm dy inspektorë, gjatë kësaj periudhe, ka inspektuar dhe vazhdon të inspektojë subjektet ekonomike si markete dhe depo në inspektime te rregullta dhe ankesa te konsumatorëve. Janë bërë 281 inspektime nga të cilat janë shqiptuar 58 gjoba, ndërsa 14 lëndë janë dërguar në Gjykatë”, thuhet në përgjigjen e Ministrisë së Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë.

Por, kjo sipas qytetarëve, nuk është e mjaftueshme. Ata thonë që nëse shteti nuk ka aftësi t’i kontrollojë çmimet, duhet t’i dalë në ndihmë popullit me rritje pagash e pensionesh.

“Ne përditë po blejmë harxh këto gjërat ushqimore, përditë ka ndryshime, po rriten, e rrogat e pensionet janë në një vend qe sa kohë. Sa e di qe 3-vjet 4 sa janë bërë pensionet, s’kanë lëvizur kurrë”, ka thënë Adem Mramori, qytetar.

“Veç janë shtuar rritjet, sidomos në produktet ushqimore unë vërej rritje drastike, a domethënë ngritje të pensioneve e të kategorive sociale vetëm sa për kamuflazh bëhen gjoja disa a ngritje të vërtetë nuk ka”, ka thënë Vesel Veseli, qytetar.

Sipas ASK-së, në raportin e fundit të publikuar për muajin prill, çmimet ishin rritur për 1.5% më shumë se në muajin mars.