Arbëri

Escobar: Ideja e një Evrope të lirë dhe në paqe, nuk është e plotë pa Ballkanin Perëndimor

I dërguari i posaçëm i Shteteve të Bashkuara për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, ka thënë se ideja e një Evrope të lirë dhe në paqe nuk është e plotë pa Ballkanin Perëndimor.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës në Maqedoni pas “Dialogut Strategjik SHBA-Maqedonia e Veriut”, Escobar shprehu mbështetjen amerikane për fillimin e konferencave ndërqeveritare me Bashkimin Evropian për Shkupin dhe Tiranën. Ai shtoi se shpreson që të tejkalohet me kompromis bllokimi që ka paraqitur Bullgaria.

“Si anëtarja më e re e NATO-s, Maqedonia e Veriut ka kontribuuar shumë, prandaj ne po përpiqemi të gjejmë mënyra që të punojmë së bashku për të ndihmuar në zgjidhjen e disa nga çështjeve të Ballkanit, disa prej çështjeve dypalëshe dhe disa nga çështjet globale”, shtoi ai.

Duke iu përgjigjur një pyetjeje për mundësinë e përshpejtimit të integrimit të Ukrainës në BE, Escobar ka thënë se si përfaqësues i posaçëm për Ballkanin Perëndimor, ai është i përqendruar në këtë rajon.

“Mendoj se janë Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria që kanë radhën për të filluar procesin e konferencave ndërqeveritare. Ne kemi bashkëpunim shumë të ngushtë me BE-në kur bëhet fjalë për Ukrainën, por fatkeqësisht kjo nuk është fusha ime”, tha ai.

Escobar u shpreh se rajoni i Ballkanit Perëndimor ka një perspektivë të madhe nga ana ekonomike dhe tregtare.

“Ballkani Perëndimor është pjesa e Evropës me rritjen më të shpejtë. Ka potencialin të jetë një udhëheqës rajonal për energjinë e ripërtëritshme, për gazin natyror të lëngshëm, për transportin, për teknologjinë dhe pothuajse për çdo gjë tjetër në rajon”.

Për këtë arsye, Escobar deklaroi se Shtetet e Bashkuara mbështesin çdo nismë bashkëpunimi mes vendeve të rajonit.