Arbëri

Viola Von Cramon: Në dialog të dyja palët duhet të japin diçka

Viola Von Cramon, raportuesja për Kosovën në Parlamentin Evropian, ka thënë se dialogu mes Kosovës e Serbisë nuk do të funksionojë pa kompromise. Në “Interaktiv” të KTV-së, Von Cramon ka thënë të martën se dialogu s’do të funksionojë po që se shtrohet kërkesa vetëm për “njohje të menjëhershme”.

“Nëse ne fillojmë dialogun duke thënë ne do të kemi dialog me ju, duke thënë se do të kemi dialog me vetëm këtë rezultat në tavolinë, atëherë do të jetë shumë e vështirë të arrihet marrëveshja. Kështu që e shoh se ai duhet t’u tregojë diçka qytetarëve të tij apo popullatës. Nëse ne kemi vetëm një kërkesë duke thënë ‘dua njohjen menjëherë’, atëherë kjo s’do të funksionojë”, ka thënë Von Cramon.

Von Cramon ka shtuar tutje se për të pasur sukses në dialog duhet të ketë ecje hap pas hapi me marrëveshje të vogla.

Duke komentuar qëndrimet e Kosovës se marrëveshja do të ishte e favorshme vetëm me njohjen në qendër, Von Cramon ka thënë se të dyja palët duhet të japin diçka.

“Nuk dua të shkoj me detajet e këtij formati të tanishëm të dialogut. Për mua është e rëndësishme të përçoj mesazhin që të dyja palët duhet të japin diçka dhe nëse njëra palë fillon me ‘ka vetëm një rezultat në fund të dialogut që e pranoj’, atëherë ne kemi një vështirësi. Kështu nuk do të funksionojë”, ka thënë ajo duke shtuar se “absolutisht që jo” kur është pyetur nëse dialogu mund të funksionojë pa kompromis.

Raportuesja për Kosovën ka treguar se në takimin që ka pasur me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ka shprehur kundërshtimin e lobimit kundër pavarësisë së Kosovës.

Sipas saj, me Vuçiqin “janë pajtuar që të mos pajtohen”.

“Edhe kjo mund të ndodhë, në rregull është. Mund të jetoj me këtë. Tekefundit, mendoj se ai ka interes që ta shohë vendin e tij në Bashkimin Evropian, kjo s’do mend. Dhe në interes të tij është gjithashtu që të ketë një rezultat të suksesshëm nga dialogu. Dhe për këtë na duhet një zgjidhje”, ka thënë Von Cramon.

Sipas saj, fjalimi i Vuçiqit në rastin e betimit si president i Serbisë, e në të cilin përmendi “Kosovën e Metohinë”, ka qenë “për të kënaqur audiencën e tij të brendshme edhe me fjalimin e tij inaugurues”.

Von Cramon ka shtuar se shefat e shteteve “e dinë saktë se çfarë saktësisht mund të jetë kompromisi”.

“Kosova e ka në interes të zgjidhë çështje të ndryshme: për shembull, energjinë, çështje të tjera, sikurse të pagjeturit, targat e vetura e të tjera. Pra gjëra që do ta bënin jetën e qytetarëve në Kosovë e Serbi më të lehtë. Ky është një nga prioritetet e mia dhe do të shpresoja që kjo është në koherencë me qasjen e udhëheqësve po ashtu”, ka deklaruar më tej ajo.

Von Cramon: Mund ta mposhtim Putinin nëse jemi të bashkuar

Raportuesja e Kosovës në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka thënë se Perëndimi mund ta mposhtë Rusinë e Vladimir Putinit vetëm nëse janë të bashkuar dhe të gatshëm për t’u sakrifikuar.

Për dyshimet nëse Bashkimi Evropian nuk është i bashkuar kundër agresionit rus, Von Cramon thotë se “shikoni rezultatet e natës së mbrëmshme për të ashtuquajturën ‘Pakoja me gjashtë palë sanksione’ ”.

“Para së gjithash është një 100 ditësh shumë pikëllues i kësaj lufte brutale nga Rusia kundër Ukrainës. A është Evropa, a është Bashkimi Evropian ende i bashkuar? Shikoni rezultatet e natës së mbrëmshme për të ashtuquajturën “Pakoja me gjashtë palë sanksione”. Paj mirë, ka pluse dhe minuse, ka dritë dhe hije në të njëjtën anë. Çështjet dhe negociatat për embargon e naftës nuk ishin në dobinë tonë, por qartazi ishin, le të themi, në cytjen e Putinit për të na bërë pikë e pesë. Do të doja që negociatat të kishin një përfundim më të shpejtë dhe më të gjerë, me qëllim që të sigurohemi se të gjithë po flasim me një zë dhe se nuk ka përjashtime. Kemi pasur goxha kohë për Sllovakinë, Republikën Çeke, por veçmas për Hungarinë. Ata kanë negociuar fort për hesape të tyre, por ne do ta mposhtim Rusinë, ne do ta mposhtim Putinin vetëm nëse jemi të bashkuar tok dhe nëse ne të gjithë sakrifikojmë”, ka thënë Von Cramon në “Interaktiv” të KTV-së.

Von Cramon shprehet se duhet t’i shpjegohet popullatës se rritja e kostos së jetesës do duhet të jetë një sakrificë, pasi sipas saj, mbase do të ketë më pak të këqija pas përfundimit të luftës.

“Në këtë moment ka luftime në lindje dhe jug të Ukrainës. Ukrainasit po humbin, por le të themi shumë më pak se sa kishin pritur rusët dhe jo me shpejtësinë që rusët kishin menduar se do të ishte e mundshme. Sa për kundërpërgjigjen ekonomike, do të thosha se na duhet një rrjet sigurie, sidomos për ato grupe të cenueshme që janë prekur nga inflacioni dhe nga ngritja e çmimeve të ushqimit, nga pasiguria ushqimore, nga ngritja e çmimeve të derivateve të naftës, e kështu me radhë. Përndryshe, duhet t’ia shpjegojmë popullsisë sonë se nuk është edhe aq keq, se duhet të sakrifikojmë dhe se mbase do të ketë më pak të këqija pas luftës. Kjo nuk është punë e lehtë, nuk është e lehtë që si politikane ta shpjegosh para popullsisë së re se kjo është e nevojshme, por ne tani duhet të përqendrojmë të gjitha burimet tona si ta mposhtim Putinin”, ka thënë ajo.

Për raportimet se BE-ja e SHBA-ja mund të dorëzohen karshi agresionit rus dhe të vendosin për ndarjen e Donbasit, Von Cramon ka thënë se deri tani nuk është parë një tregues i tillë dhe se do të vazhdohet mbështetja ndaj Ukrainës.

Për hezitimin e Gjermanisë për të dërguar armë të rënda në Ukrainë, Von Cramon ka shpresë se deputetët në Bundestag do t’i bëjnë presion Qeverisë së Scholzit ta zbatojë rezolutën e 28 prillit.

“E kishim një rezolutë të mrekullueshme nga Bundestagu gjerman më 28 prill, në të cilën gjithashtu ceket se Gjermania do të jetë e gatshme që të dërgojë armatim të rëndë, porse ajo nuk është zbatuar. Shpresoj se kolegët tanë në Bundestag do të kujdesen për ta shtyrë Qeverinë, veçanërisht kancelarin, për këtë”.

Von Cramon: Serbia duhet domosdoshmërisht t’i vendosë sanksione Rusisë

Raportuesja e Kosovës në Parlamentin Evropian, Viola von Cramon, ka thënë se Serbia e ka të domosdoshme vendosjen e sanksioneve ndaj Rusisë dhe jo pse këtë ia kërkon Bashkimi Evropian, por sipas saj, është çështje e normave dhe standardeve të ndryshme dhe se ku e shihni apo ku e poziciononi veten.

“I kam thënë presidentit Aleksander Vuçiq që natyrisht se do të dëshironim të shihnim sa më parë që të jetë e mundur një bashkërendim për sanksionet. Kjo është domosdoshmëri, jo ngase kështu thotë Bashkimi Evropian, por për shkak se kjo është njashtu çështje e normave dhe standardeve të ndryshme dhe se ku e shihni apo ku e poziciononi veten. E nëse kjo do të jetë e mundur dhe se çfarë lloj, le të themi, përkushtimi Serbia do të përmbushë apo se ku do të rreshtohet apo në përbrenda çfarë pakoje e sheh veten, unë nuk mund t’ju them, por mendoj se presioni do të rritet”, ka thënë ajo, dy ditë pasi u takua me Vuçiqin në Beograd.

Von Cramon ka thënë se do të ketë presion ndaj Serbisë për të vendosur sanksione ndaj Rusisë.

“Absolutisht, në lidhje me rreshtimin e sanksioneve financiare me sektorë të tjerë, si dhe me pakon e gjashtë të sanksioneve, të natës së mbrëmshme. Natyrisht se do të jetë kundër kanalit medial rus, kundër grupeve të tjera të shënjestruara dhe shumë të tjera”, ka thënë Von Cramon, duke përsëritur se nuk do të lejohet që Serbia “të ulet në dy karrige”.

Për marrëveshjen e gazit me Rusinë të cilën e njoftoi presidenti serb Vuçiq, Von Cramon ka thënë se marrëveshja nuk është krejtësisht e sigurt.

“Para së gjithash, mendoj se i ashtuquajturi njoftim për këtë marrëveshje të gazit nuk është krejtësisht, le të themi, i sigurt. Ajo që kam dëgjuar nga pala serbe është se Putini ka ofruar një sasi të caktuar të gazit, por jo të gjithë sasinë. Kështu që pjesa tjetër duhet që të blihet në treg..., që është jashtëzakonisht i kushtueshëm. Andaj, në këtë aspekt, Bashkimi Evropian do t’i bashkohej lojës dhe me shpresë se do të gjendej zgjidhje që bashkërisht me Serbinë do të gjenim një zgjidhje të përbashkët që do të ishte e favorshme. Prandaj, nuk i takon vetëm Putinit që t’i sigurojë dërgesat dhe burimet e gazit, apo burimet e energjisë për Serbinë”, ka thënë ajo.