Çmimi i naftës është rritur sërish. Vetëm brenda kësaj jave çmimi është ngritur për gati 10 centë. Nga Shoqata e naftëtarëve kanë theksuar se qëndrueshmëri të çmimeve nuk do të ketë pa përfunduar lufta Rusi-Ukrainë. Deri atëherë, njohësit e çështjeve tregtare rekomandojnë që Qeveria të ndërmarrë hapa të shpejtë përveç me inspektim për manipulime të mundshme, edhe duke hequr TVSH-në apo ulur akcizën e naftës
Çmimet në tregun e karburanteve po vazhdojnë të luhaten. Nga java në javë litri i naftës po tregtohet ndryshe. Brenda 4-5 ditësh çmimi i naftës është rritur për gati dhjetë centë. Në fillim të javës litri i naftës ka kushtuar 1.64 euro, ndërsa tash çmimi ka shkuar 1.73 euro. Rritja e çmimit të naftës ka ndodhur për shkak të luftës Rusi-Ukrainë dhe sanksioneve që vendet perëndimore i kanë vendosur Rusisë, e cila është një ndër furnizueset më të mëdha të Evropës me naftë. Çmimi i naftës diktohet nga bursa ndërkombëtare, por njohësit e tregut kanë se lëvizjet në bursë nuk reflektohen saktë në Kosovë, duke akuzuar tregtarët e naftës për manipulime me çmimet. Për ta kontrolluar rritjen e çmimeve po rekomandohet që Qeveria ta heqë tatimin në vlerën e shtuar nga nafta ose edhe ta zbresë akcizën e saj.
Ndryshimet në çmime, kryetari i Shoqatës së Naftëtarëve, Fadil Berjani ka thënë se nuk mund të kontrollohen meqë varen nga lëvizjet në bursën ndërkombëtare. Në një përgjigje me shkrim për Kohën, ai ka theksuar se stabilitet të çmimeve në tregun e karburanteve nuk do të ketë pa përfunduar lufta Rusi-Ukrainë.
“Sa u përket çmimeve në ditët në vijim, nuk mund të paragjykojmë shkaku se ka lëvizje të mëdha në bursë. Kosova është treg i hapur dhe kërkesa e oferta e formulojnë çmimin. Stabilitet të çmimeve do të ketë pasi të përfundojë lufta Ukrainë-Rusi”, ka deklaruar Berjani.
Por, sipas ish-ministrit të Tregtisë, Ismet Mulaj, çmimi i naftës në bursë nuk përkon me çmimet me të cilat po tregtohet nafta në Kosovë. Edhe Mulaj pohon se gjatë gjithë këtij viti do të ketë luhatje të tilla të çmimeve për shkak të luftës në Ukrainë dhe siç ka thënë ai, sanksioneve të vazhdueshme që po i vihen Rusisë.
“Janë dy faktorë që ndikojnë në rritjen e çmimeve: I pari është çmimi ndërkombëtar, çmimi i bursës dhe i dyti është mosmbikëqyrja sa duhet e tregut të karburanteve në Kosovë, për shkak se sot nafta në bursë ndërkombëtare kushton 1.11 dollarë, por nuk korrespondon dhe nuk është në harmoni me rritjen e çmimeve në Kosovë”, ka deklaruar ai.
Kjo sipas Mulajt, është rritje artificiale dhe ai shton se Qeveria nëpërmjet Inspektoratit të tregut dhe funksionalizimit të Autoritetit Kosovar të Konkurrencës duhet të mbikëqyrë rritjen e çmimeve dhe manipulimet e mundshme. Ai konsideron se për shkak të parimeve të tregut të lirë, tregtarët po vendosin çmime, varësisht vullnetit të tyre, pa u preokupuar nëse ato po kalojnë në mashtrim. Kësisoj, mekanizmi mbikëqyrës, sipas Mulajt, duhet të luajë rol efikas në parandalimin e marrëveshjeve joligjore për rritje çmimesh. Ai ka rekomanduar që për ta lehtësuar situatën me çmimet në Kosovë, Ekzekutivi të heqë TVSH-në ose ta zbresë akcizën e naftës.
“Qeveria ka dy mekanizma ku mund të ndërhyjë. E para përmes Autoritetit të Konkurrencës të bëjë ndalimin e marrëveshjeve joligjore dhe së dyti, mund ta heqë TVSH-në ose ta zbresë akcizën në karburante dhe automatikisht zvogëlohen çmimet”, ka potencuar ai.
Ai ka thënë se Qeveria mund të ketë edhe instrumente të tjera për të ndërhyrë në këtë krizë çmimesh, porse ulja e akcizës ose heqja e TVSH-së për naftën është janë masat më të duhura dhe sipas tij, nuk do të ndikonin në mënyrë drastike në problemet buxhetore të Kosovës.