Kryesuesi i Bordit të Shoqatës së Kultivuesve të Arrës dhe Lajthisë, Naim Rrahmani, i bëri thirrje Ministrisë së Bujqësisë që këtë muaj të kryejë subvencionet, në të kundërtën, do të ketë vonesë në prodhim dhe cilësi të dobët.
Ai deklaroi të hënën në emisionin “Sot” në KTV, se çmimi i plehrave azotike që përdoren për bujqësi është ngritur nga 7 euro në 25, që sipas tij, është e papërballueshme për fermerët.
“Kërkojmë që këto mjete të shpallen për fermerë, pasi disa e kanë të pamundur ta realizojnë. Vonesa ndikon në prodhim dhe sasi të prodhimit. Do të ketë prodhim por të mangët dhe cilësi shumë të dobët. Për subvencione ka ngritje, por kur e pjesëtojmë me ngritjen e çmimeve, është një ngritje e ulët”, deklaroi Rrahmani.
Ai deklaroi se si shoqatë kanë kërkuar të ndahet një linjë buxhetore për të gjitha shoqatat bujqësore, që do të ndikonin në ngritjen e cilësisë dhe të prodhimit në Kosovë.
“Ne kërkojmë që në vitin 2023 të kemi një qasje tjetër sa i përket kësaj politike. Grantet dhe thirrjet të fillojnë në janar, që në prill t’i marrin mjetet e caktuara. Nëse tash do të hapej, do të rrinte 1 muaj hapur, publikimi zgjat afro 2 muaj dhe sezoni pothuajse kaloi”.
Rrahmani theksoi se në Kosovë kultivimi i arrës dhe i lajthisë është ende i mangët, ndërsa brenda tri vjetëve synohet tregu i jashtëm.
“I bëjmë thirrje Ministrisë të na ndihmojë, do të jetë në interes të fermerëve me shitjen e tyre. Çdo herë ka hapësirë për fermerë të rinj. Shoqata ka luajtur një rol të rëndësishëm. Me kohë, secili fermer mund t’i merr informatat sa është kostoja e ngritjes së një parcele, çka nevojitet për fillim, të gjitha i kemi”, deklaroi ai.
Kreu i Shoqatës deklaroi se zona e Dukagjinit është më e shquar për kultivimin e arrës dhe lajthisë.