Arbëri

Për dy vjet u shpenzuan rreth gjysmë miliardi më shumë në subvencione

Rreth 843 milionë euro janë shpenzuar gjatë vitit të kaluar nga buxheti i shtetit në subvencione dhe transfere. Kjo shumë u rrit në dy vjetët e fundit, shkaku i krizës së shkaktuar nga COVID-19. Shpenzimet për këtë kategori ishin për 100 për qind më të larta sesa shpenzimet kapitale

Afro gjysmë miliardi më shumë janë shpenzuar në dy vjetët e fundit për subvencione dhe transfere. Nga 627 milionë euro sa ishin shpenzuar më 2019 për këtë kategori, më 2020, kjo shumë u rrit për më shumë se 240 milionë euro.

Edhe më 2021 u shpenzuan rreth 843 milionë euro për subvencione dhe transfere. Shuma në këta dy vjet u rrit shkaku i dy pakove të Qeverisë për t’u dalë në ndihmë qytetarëve dhe bizneseve në krizën e shkaktuar nga COVID-19.

Këto shpenzime janë për 100 për qind më të larta sesa shpenzimet kapitale.

Mustafë Kadriaj, profesor i ekonomisë, ka thënë se Qeveria Kurti ka ardhur në pushtet me premtime sociale, por sipas tij, nuk duhet të shfrytëzohet huamarrja ndërkombëtare për mbulimin e këtyre shpenzimeve.

“Nuk e kuptoj se si gjithë huan publike po e ngarkon nëpërmjet koncentrimit në politika sociale. Borxhi duhet të fokusohet në investime kapitale, siç janë autostradat, hekurudhat, aeroportet apo diçka që në të ardhmen mundëson edhe rritjen e të hyrave”, ka thënë Kadriaj.

Sipas Raportit Financiar për 2021 të publikuar nga Ministria e Financave, për projekte të tilla u shpenzuan vetëm 424 milionë euro apo 110 më pak se sa që ishin shpenzuar gjatë 2019-s, kur vendi nuk përballej me pandemi.

Ashtu sikurse viteve të kaluara edhe gjatë vitit 2021, shuma më e madhe e mjeteve ka shkuar në ndërtimin e rrugëve.

Për rrugë lokale u shpenzuan mbi 83 milionë euro, ndërsa për ato regjionale 43 milionë. Për dallim nga vitet paraprake, ka pasur më pak shpenzime për ndërtimin e autostradave. Për këtë kategori u shpenzuan vetëm 6.8 milionë euro.

U ulën shpenzimet për ndërtim të objekteve shkollore. Më 2021 u shpenzuan 25 milionë euro apo 5 milionë më pak se një vit më parë.

14 milionë euro u shpenzuan për ndërtimin e trotuareve, ndërsa 9 milionë euro për kanalizime, e 8 milionë të tjera u investuan në ujësjellës.

Rreth 16 milionë euro janë shpenzuar për mirëmbajtje investive, por që kjo shumë është për 4 milionë euro më e ulët sesa në vitin 2019 dhe 1 milion më pak sesa në vitin 2020.

Sipas raportit, 9.6 milionë janë shpenzuar për pajisje speciale mjekësore.

Te kategoria e shpenzimeve kapitale janë futur edhe shpenzimet për pagesat e vendimeve gjyqësore. Kjo shumë ka arritur vlerën e afro 20 milionë eurove gjatë 2021, që është për 3 milionë më shumë se sa në 2020.

Mst: Për pensionet e veteranëve u shpenzuan afro 79 milionë euro

Sipas profesorit Kadriaj, shteti duhet që të orientohet kah investimet që ndikojnë në zhvillim ekonomik dhe mirëqenie sociale.

“Edhe për politika sociale, kjo qeveri nuk ka diçka konkrete. Por, mos ta ngarkojmë edhe më shumë në këtë drejtim, edhe pse deri më tani asnjëherë nuk ka qenë më keq mirëqenia e qytetarëve me këtë rritje të çmimeve të konsumit, rritje të çmimit të energjisë, e mosrritje të pagës minimale”, ka theksuar ai.

Bazuar në raportin e Ministrisë së Financave, sa u përket subvencioneve dhe transfereve pjesa më e madhe apo rreth 200 milionë euro kanë shkuar për pensionet bazë, ndërsa 134 milionë euro janë shpenzuar për pensionet e kontributdhënësve.

Krahasuar me dy vjetët e kaluar, është rritur shuma e shpenzuar për pensione të veteranëve për më shumë se 2 milionë euro. Për këtë kategori gjatë vitit 2021 janë shpenzuar afro 79 milionë euro.

41 milionë euro janë shpenzuar për invalidët e luftës, shumë kjo që është pothuajse e njëjtë me dy vjetët paraprakë.

Rreth 41 milionë euro janë shpenzuar për personat me nevoja të veçanta, që janë 8 milionë më shumë sesa vitin e kaluar.

Afro 4 milionë e 700 mijë euro janë shpenzuar për shtesa të fëmijëve, që kanë filluar të zbatohen për herë të parë gjatë vitit 2021.

Rreth 100 milionë euro është shuma e subvencioneve për entitetet publike, që krahasuar me vitin 2019, kjo shumë është rritur për 40 milionë euro. Për entitetet jopublike kjo shumë ishte afro 54 milionë euro, e më 2019 kur nuk ishte vit i pandemisë, ishte 28 milionë.

Mst: Rreth 668 milionë euro u shpenzuan për paga dhe shtesa

Nga buxheti i shtetit rreth 54 milionë euro kanë shkuar për sektorin e blegtorisë dhe për kulturat bujqësore. Kjo shumë paraqet një rritje prej afro 10 milionë krahasuar me një vit më parë dhe dyfish më shumë sesa në vitin 2019, kur ishin shpenzuar afro 26 milionë.

Gjatë vitit 2021 u shpenzuan 306 milionë euro për mallra dhe shërbime, përfshirë edhe shpenzimet për menaxhimin e pandemisë.

E për paga dhe shtesa janë shpenzuar 668 milionë euro apo 60 milionë më shumë sesa më 2019.

Për paga kanë shkuar 545,771 milionë euro, 37 milionë euro kanë shkuar për tatim në të ardhura pensionale për punëtorët e administratës. Mbi 30 milionë euro janë shpenzuar për kontribute pensionale për punëtorë dhe 30 milionë euro për kontribute pensionale që mbulohen nga punëdhënësit.