Arbëri

Komunat kërkojnë rishikim të buxhetit: S’mund t’i kryejmë punët pas ngritjes së çmimeve

Kryetari i ri i Asociacionit të Komunave të Kosovës, Agim Aliu, ka thënë se ata kërkojnë nga Qeveria dhe Kuvendi që sa më shpejt ta rishikojnë buxhetin për vitin 2022, pasi për shkak të ngritjes së çmimeve, nuk po munden t’i kryejnë punët.

Sipas kryetarit të Ferizajt, komunat po hasin në vështirësi edhe me kontratat e vjetra.

“Është një përgjegjësi dhe nder që më kanë bërë. Janë detyrat dhe obligime që dalin nga kjo përgjegjësi e marrë, sepse janë në një kohë të sfidueshme. Edhe vetë Kosova është në moment sfidues, siç është i gjithë globi. Këto çështje lidhen edhe komunat. Janë mori kontratash që komunat i kanë lidhur me kompanitë me çmimet e vjetra dhe shumë kompani kanë paralajmëruar se e kanë shumë vështirë t’i nisin punët në këtë kohë pranverore. Këto çështje do t’i diskutojmë me nivelin qendror sepse nuk janë vetëm të komunave, janë të të gjitha agjencive. Duhet vendimmarrje, nuk është e kollajshme. Është çështje komplekse sepse ka të bëjë me buxhetin. Duhet të ketë sa më shpejt një rishikim të buxhetit. Nuk mundemi që me rishikimin e buxhetit të vitit 2021 të lidhim kontrata për vitin 2022, sepse çmimet janë rritur. Në fund duhet vendimmarrja dhe ajo duhet të jetë e shpejtë”, ka thënë Aliu në emisionin “SOT” të KTV-së.

Përveç kësaj çështje, Aliu ka thënë se si AKK do të merren edhe me aspektet legjislative.

“Do merremi me Ligjin për vetëqeverisje lokale, me Ligjin e performancës, me çështjen e grantit të katërt për komunat, që jemi dakorduar të jetë më i madh pasi komunat po kanë vështirësi financiare meqë jemi dega e parë ku qytetarët shprehin shqetësimet. Është një çështje që duhet të marrë epilogun edhe në Kuvend”, ka deklaruar Aliu.

Krenar Xhaferi, drejtor i Investimeve Kapitale në Prishtinë, ditë më parë për KTV-në ishte ankuar për të njëjtën çështje.

“Momentalisht halli kryesor i Komunës së Prishtinës dhe i ndërtuesve janë ndryshimet enorme të çmimeve të cilat çdo ditë po rriten. Vetëm para disa jave kemi pasur një ndryshim të madh të bitomenit në asfalt dhe janë shqetësuese ngritjet e këtyre çmimeve. Ne e kemi ngritur edhe në nivelin qeveritar dhe kemi pasur edhe takime të shumta me përfaqësues të ndryshëm që ndikohen nga këto ngritje me qëllim të bëhet një zgjidhje në këtë drejtim. Kemi pasur takime edhe me kryetarin Rama dhe me kompanitë që kanë kontrata me drejtorinë e Investimeve Kapitale. Ato janë shumë kompani dhe të gjitha kanë hallin e njëjtë. Këto ndryshime të çmimeve janë në bursë, të gjithë i shohin dhe i dinë. Niveli qeveritar duhet ta marrë shumë seriozisht këtë çështje. Në komunë nuk mund të bëjmë asnjë ndryshim të asnjë çmimi nëse niveli qeveritar nuk e merr hapin në këtë drejtim”, qe shprehur ai.

Po ashtu kishte thënë se nëse nuk gjendet tash një zgjidhje duhet të gjinden alternativa për t’i shkëputur kontratat dhe të tenderohen prapë.