Arbëri

Zyrtari i Këshillit të Evropës përgënjeshtron Bislimin për përshkrimin e takimit

Zëvendëssekretari i Përgjithshëm i Këshillit të Evropës, Bjorn Berge, ka thënë se zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, nuk ka bërë përshkrimin e drejtë të takimit që kanë pasur të mërkurën për aplikimin e mundshëm të Kosovës për pranim në këtë organizatë.

Teksa Bislimi në Twitter ka thënë se Berge ka mirëpritur iniciativën e Kosovës për aplikim për pranim në Këshill të Evropës, zyrtari i organizatës ka thënë se s’ka qenë interpretim korrekt i qëndrimit të tij.

“I kënaqur që takova Bjorn Bergen gjatë qëndrimit në Strasbourg, që mirëpriti iniciativën e Kosovës për aplikimin për pranim në Këshill të Evropës. Diskutimi jonë u fokusua edhe në vënien në pah të progresit të Kosovës, reformat dhe harmonizimi me vlerat evropiane dhe politikat e jashtme”, ka thënë Bislimi në Twitter.

Ndërkaq të enjten, Berge mohoi këtë përshkrim.

“Me keqardhje, ky s’ka qenë përshkrimi korrekt i asaj që kam deklaruar në takim sa i përket aplikimit të mundshëm në Këshill të Evropës”, ka shkruar Berge.