Arbëri

Gruda pranon fajin për vjedhjen e 2.1 milionë eurove, Shalës i duhet kohë të deklarohet

Jo shumë kohë do t’i duhet Gjykatës Themelore në Prishtinë që të vendosë në lidhje me rastin e vjedhjes së 2.1 milionë eurove. Labinot Gruda, dikur punëtor i Thesarit të Kosovës, që është i akuzuari kryesor në këtë rast, e ka pranuar fajësinë për të gjitha pikat me të cilat ngarkohet. E biznesmenit Kadri Shala, që akuzohet se i janë transferuar këto para, i duhet pak më shumë kohë të deklarohet rreth fajësisë

18 muaj pasi 2.1 milionë euro u zhdukën nga Thesari i Shtetit, para gjykatës për shqyrtim gjyqësor u paraqitën të akuzuarit kryesorë, Labinot Gruda e Kadri Shala.

Siç rëndom ndodh në seancën e shqyrtimit fillestar, kryetari i trupit gjykues, në këtë rast gjyqtari Arben Hoti, u kërkoi të akuzuarve të deklarohen rreth fajësisë.

Por para kësaj përgjigjeje, avokati Tahir Rrecaj, i kërkoi pesë minuta pushim që të konsultohej me klientin e tij, Labinot Gruda. Konsultimi u mbajt në gjykatore, pa praninë e trupit gjykues.

Pas rifillimit të seancës, Gruda tha se e pranon përgjegjësinë për secilën pikë me të cilën ngarkohet.

“Pranoj fajësinë për të gjitha pikat e aktakuzës”, u shpreh ai.

Pranimin e fajësisë nuk e kundërshtoi prokurori i rastit, Valdet Gashi.

Por, gjyqtari Arben Hoti, pas një konsultimi 15-minutësh me anëtarët e trupit gjykues, tha që pa u deklaruar i akuzuari tjetër, Kadri Shala, nuk mund ta pranojnë pranimin e fajësisë për njërën nga pikat e aktakuzës.

“Sa i përket pikës së katërt të aktakuzës, trupi gjykues tani për tani nuk mund të marrë vendim. Vendimi do të vijë pas deklarimit të të akuzuarit, Kadri Shala, për shkak që kjo vepër është në bashkëkryerje” deklaroi Hoti.

Avokati i Grudës, Tahir Rrecaj, e lavdëroi Prokurorinë e Shtetit për cilësinë e aktakuzës.

“Aktakuza është e ngritur në prova të mjaftueshme dhe se jo vetëm unë, por asnjë avokat nuk do të mund ta rrëzojë poshtë aktakuzën”, tha Rrecaj.

Megjithatë, pranimi i fajësisë nga ana e Grudës i prishi punë mbrojtjes së të akuzuarit tjetër, Kadri Shala.

Avokati Florent Latifi tha që janë të papërgatitur për këtë situatë dhe se për këtë shkak duhej të shtyhej seanca.

“Mua dhe avokatit tjetër na duhet më shumë kohë pas kësaj rrethane, që të bisedojmë me të abuzuarin. Na duhen së paku edhe 2 javë”, tha Latifi.

Një kërkesë e tillë u aprovua nga ana e gjykatës.

Pranimi i fajësisë, megjithatë, nuk ia mundësoi Grudës lirimin nga paraburgimi, ani pse kërkesë e avokatit Rrecaj ishte që masa e paraburgimit t’i zëvendësohej me masë të arrestit shtëpiak.

Gruda për 10 vjet ka qenë i punësuar në Thesarin e Shtetit, nga ku transferoi shumën prej 2.1 milionë eurove te kompania “LDA GROUP SHPK” pronë e të akuzuarit tjetër, Kadri Shala.

Në aktakuzë thuhet se Gruda akuzohet për veprat penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”, “Hyrja në sistemet kompjuterike”, “Vjedhja e identitetit dhe pajisja e qasjes” dhe “Shpëlarje e parasë”, në bashkëkryerje me të pandehurin Shala.