Arbëri

Postimi në Facebook i kushton me suspendim policit Amir Hoxha

Amir Hoxhës, polic i rajonit të Prishtinës, i ka kushtuar me suspendim një postim i së premtes në Facebook. Në këtë postim ai kërkonte pagesat e shujtave për policët dhe shtesat për punë jashtë orarit, teksa ka akuzuar politikanët për shpenzime enorme.

“Paratë e shujtave për Policinë, si dhe shtesat për punë jashtë orarit nuk jemi duke i marr përkundër se na takojnë me Ligj, me arsyetim të mungesës së buxhetit, por besa s’paskan pas faj se rezervarët e karburantit te deputeteve që në emër të modestisë dhe gënjeshtrave publike gjatë fushatave politike fituan ulëse dhe privilegje, qenkan me primare. Një polic mund të lihet pa bukë në kryerje të detyrës ama deputeti pa karburante kurrsesi jo. Turp ju qoftë, prapë dora jonë do ju ndëshkojë o të shkretë”, kishte shkruar Hoxha në Facebook.

Nga Policia e Kosovës kanë thënë se zyrtari policor është suspenduar nën dyshimet për shkelje të brendshme disiplinore.

“Vendimi mbi suspendimin në kohëzgjatje deri në tri (3) ditë, është marrë për zyrtarin policor (punonjës në Stacionin Policor Qendra Prishtinë), nën dyshimet për shkelje disiplinore të sanksionuar sipas udhëzimit të sipërshënuar. Sa sipër, policia është strukturë apolitike në shërbim të të gjithë qytetarëve pa dallim në orientimet e tyre andaj të gjithë zyrtarët e saj duhet të përmbahen nga komente qofshin ato politike apo të llojeve të tilla të sanksionuara me udhëzimet administrative”, thuhet në njoftimin e Policisë.

Policia në arsyetim ka përmendur nenin që specifikon se shkelje e rëndë e autorizimit konsiderohet publikimi, shfaqja, shpërndarja apo komentimi i postimeve, fotografive, videove, incizimeve që dëmtojnë imazhin e Policisë.

Ndaj kësaj ka reaguar aktivistja Flutura Kusari që ka thënë se “Postimi i policit nuk e dëmton imazhin e policisë e Kosovës”.

“Masa disiplinore koti ndaj tij e dëmton seriozisht imazhin e policisë. Policët e gëzojnë të drejtën e lirisë së shprehjes”, ka thënë ajo.

Ndërkohë, Inspektorati ka dalë me një komunikatë, ku thuhet se ky organ heton vetëm veprat penale të kryera nga punonjësit e Policisë së Kosovës.

“Inspektorati Policor i Kosovës sot që nga orët e hershme të mëngjesit ka pranuar kërkesa të shumta lidhur me suspendimin e një zyrtari policor në Drejtorinë Rajonale të Prishtinës. Duke ju referuar kërkesave të shumta ju njoftojmë se Inspektorati Policor i Kosovës nuk është duke e trajtuar këtë rast dhe nuk ka bërë ndonjë rekomandim për suspendim dhe se ky suspendim është bërë nga Policia e Kosovës. Bazuar në autorizimet ligjore të IPK-së hetuesit e IPK-së hetojnë të gjitha veprat penale të kryera nga punonjësit e Policisë së Kosovës, pa dallim grade dhe pozite gjatë ushtrimit së detyrës ose jashtë saj. Rekomandimi për suspendim nga IPK bëhet në rastet e hetimit të veprave penale dhe kur është në interes të procedurës hetimore – penale”, thuhet në komunikatën e Policisë.

Edhe nga Sindikata e Policisë së Kosovës kanë thënë se sipas një urdhërese, policët s’kanë të drejtë të postojnë komente politike

“Ne i kemi disa gjëra të kufizuara në polici që nuk guxojmë të bëjmë publikime politike, nuk kemi të drejtë. Është një urdhëresë prej disa vitesh nga menaxhmenti që thotë se nuk kemi të drejtë të bëjmë komente politike”, ka thënë kryetari i Sindikatës së Policisë së Kosovës, Imer Zeqiri, për KOHËN.

Ndërkaq në një reagim të mëvonshëm, Sindikata e Policisë së Kosovës ka thënë se rastet e fundit të suspendimit të policëve kanë qenë shqetësuese dhe se do të kërkohet sqarim për arsyet e suspendimit.

Në dy ditët e fundit, është raportuar për shpenzimet enorme të deputetëve të Kosovës. Pas kësaj ka reaguar shefja e Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kushari-Lila e cila ka thënë se deputetët e LVV-së do të heqin dorë nga kompenzimi i shpenzimeve të udhëtimit.

 

Paratë e shujtave për Policinë , si dhe shtesat për punë jasht orarit nuk jemi duke i marë perkundër se na takojne me...

Posted by Amir Hoxha on Friday, February 4, 2022