Partia Social-Demokrate (PSD) e ka cilësuar joproporcionale në raport me veprën e dyshuar penale, masën e shqiptuar mbrëmë nga Gjykata Themëelore në Prishtinë kundrejt kryetarit të saj, Dardan Molliqaj.
PSD-ja paralajmëron se ndaj ndaj të njëjtit aktvendim do të parashtrohet ankesë pranë Gjykatës së Apelit.
“Prokuroria ka pranuar një kallëzim penal për këtë vepër një ditë pas arrestimit të tij. Gjithashtu, Gjykata vërtetoi se ftesat e Policisë nuk janë dorëzuar në përputhje me dispozitat përkatëse të Kodit të Procedurës Penale. Të gjithë këtë veprimtari të orkestruar e të paautorizuar me ligj do ta denoncojmë pranë shumë organizatave që merren me të drejtat e njeriut. Për më tepër, këto shkelje do i adresojmë përmes të gjitha mundësive ligjore që i kemi në dispozicion”, thuhet në reagimin e PSD-së.
Molliqaj ishte kërkuar nga Policia pas goditjes me shuplakë që i dha policit gjatë protestës të së shtunës kundër shtrenjtimit të rrymës.
Policia kishte iniciuar hetim menjëherë pas protestës e më pas kishte bastisur dy lokacione për ta gjetur kryetarin e PSD-së.
Përveç Molliqajt, edhe aktivisti tjetër i PSD-së, Adem Megjuani, është arrestuar të martën për shkak se sulmoi zyrtarin policor gjatë protestës.