Arbëri

Prokuroria kërkon 30 ditë paraburgim për Molliqajn

Prokuroria Themelore në Prishtinë ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prishtinë, caktimin e masës së paraburgimit në kohëzgjatje prej 30 ditësh, ndaj kryetarit të Partisë Socialdemokrate, Dardan Molliqaj dhe aktivistit të kësaj partie, Adem Megjuani.

Lajmin për KOHËN e ka konfirmuar zëdhënësja e Prokurorisë Themelore në Prishtinë, Laureta Ulaj.

“Mund t’ju njoftojmë se Prokuroria Themelore në Prishtinë, ka paraqitur kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj dy (2) personave të ndaluar, në drejtim të veprës penale “Sulm ndaj personit zyrtar”, ka thënë Ulaj.

Molliqaj dhe Megjuani aktualisht janë nën masën e ndalimit prej 48-orëve, pasi u arrestuan të martën.

Megjuani u arrestua pasi iu përgjigj pozitivisht ftesës për paraqitje nga Policia, ndërsa Molliqaj u arrestua dje në mbrëmje në dalje të Prishtinës.

Po ashtu, sipas policisë, Molliqaj ishte kërkuar në adresat e banimit dhe policia nuk e kishte hasur të njëjtin dhe i kishte lënë edhe një ftesë për paraqitje vullnetare, por i dyshuari nuk e kishte përfillur.

E PSD-ja ka reaguar duke thënë se masa e paraburgimit përbën masën më të ashpër të lejuar që mund ta kërkojë Prokokuria, e sipas tyre, ky proces penal nuk është motivuar nga nevoja për të zbatuar ligjit, por për motive politike.

“Sapo morëm vesh se Prokuroria ka kërkuar 1 muaj paraburgim për Dardan Molliqajn dhe Adem Megjuanin. Protesta masive dhe e përfunduar si paqësore u sulmua nga të gjitha anët për t’u kriminalizuar. Radha i erdhi policisë me 60 pjesëtarë të njësiteve të reagimit të shpejtë për ta rrethuar një studio televizive e arrestuar një person. Hallka e radhës është Prokuroria që caktoi mbajtjen prej 48 orësh dhe tash kërkon 1 muaj paraburgim. Kërkesa për masë të paraburgimit përbën masën më të ashpër të lejuar që mund ta kërkojë Prokuroria. Kjo kërkesë e parë së bashku me shkeljet procedurale e materiale që kanë ngjarë përgjatë procesit të privimit të lirisë tregon qartë se i gjithë ky proces penal nuk është i motivuar nga nevoja për të zbatuar ligjin. Qartazi motivet janë politike dhe hakmarrëse. Veprimet e organeve të drejtësisë mbi motive të tilla të ulëta janë në kundërshtim me shtetin e së drejtës që para së gjithash mban lart liritë dhe të drejtat e njeriut. Pushteti i Albin Kurtit dëshiron të na japë mësime të reja për protestën. Mësimet të reja do t’i japim ne”, thuhet në reagimin e tyre.