Rritja ekonomike dhe shtimi i vendeve të reja të punës ishin mburrja e Qeverisë Kurti për 2021. Por, kriza energjetike që goditi Kosovën në dhjetor të vitit që lamë pas, do të jetë sfiduese për vitin 2022. Pas ditëve të festës vendi pritet t’u kthehet reduktimeve. Kriza energjetike parashihet të zgjatë të paktën deri në mars.
Në terr dhe me zhurmë të gjeneratorëve disa pjesë të Kosovës kanë pritur vitin 2022.
Pavarësisht premtimet se gjatë festës së ndërrimit të moteve nuk do të ketë ndërprerje, në Malishevë dhe Ferizaj ndodhi e kundërta.
Ndërprerje të rrymës pati edhe në disa lagje të Prishtinës, shkaku i mbingarkesës dhe prishjeve në rrjet.
Reduktimet disa-orëshe që përcollën fundvitin që lamë pas, pritet të kthehen pas përfundimit të ditëve festive. Kjo pritet të zgjatë të paktën deri në mars.
Kriza energjetike që përfshiu Evropën shkaku i rritjes së çmimit të gazit, rriti kërkesën për rrymë duke ndikuar edhe në rritjen e çmimeve.
Në Kosovë kjo krizë filloi të ndihet në tetor, por në masë të madhe në dhjetor kur u rrit konsumi dhe prodhimi vendor ishte i pamjaftueshëm për t’iu përgjigjur nevojës së lartë për rrymë.
Në këtë ndikoi edhe rënia e bllokut “B2” të termocentralit “Kosova B”, i cili do të jetë jashtë funksionit të paktën deri më 20 janar.
“Qe 20 vjet ne flemë mbi qymyr, kemi mundur të kemi rrymë edhe për të tjerët, por planifikimi është bërë pa vend, padijshëm dhe kështu duhet të durojmë edhe ne”, ka thënë Zymer Maxharri. qytetar.
Kabineti qeveritar fajësoi qeveritë e kaluara për gjendjen e rëndë të kapaciteteve prodhuese energjetike në vend.
“Unë e kuptoj sot frustrimin e secilit qytetar me mungesë të energjisë elektrike, besoni që edhe unë jam i frustruar, por le të jetë ky një kujtim për gjendjen në të cilën, ata që qeverisën për dy dekada na e lanë shtetin, sepse si njerëz të territ që ishin, që punët i bënin natën e larg syrit të qytetarëve, ata nuk kishin si ta lënin Kosovën ndryshe pos në terr e skëterrë, por ajo epokë ka përfunduar”, ka thënë kryeministri, Albin Kurti.
Mungesa e prodhimit rriti nevojën për import të energjisë. Kuvendi më 29 dhjetor shpalli gjendje emergjente të energjisë, duke miratuar vendimin e Qeverisë për masat emergjente për kufizim të furnizimit me energji, duke i bërë të ligjshme reduktimet.
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se në këtë situatë nuk ka zgjidhje të mirë, ose reduktime ose shtrenjtim të energjisë.
Opozita ka fajësuar Qeverinë për vonesa në veprime.
“Qeveria jonë populiste siç është, verës kur të tjerët merreshin me problemet e energjisë, kjo qeveri shpërndante parulla nëpër Evropë se ka zhvillimin më të madh, aq të lartë sa që po arrin edhe Kroacinë”, ka thënë kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiki.
Ekzekutivi ka ndarë 20 milionë euro për KEK-un për import të energjisë, pas rritjes së çmimit në bursa shkaku i krizës energjetike.
Kjo mund të ndikojë që të mos ketë rritje të papërballueshme të çmimit të energjisë elektrike. Por që nuk garanton mosrritjen e çmimit.
KEDS-i tashmë ka kërkuar një rritje prej 7 për qind nga ZRRE-ja, e cila ka pranuar ta shqyrtojë këtë kërkesë, por që ende nuk dihet se sa do të jetë rritja e tarifave të energjisë.