Arbëri

Beqaj ndan vitin 2021 në dy faza: Fitorja plebishitare dhe debakli i VV-së

Sipas profesorit të shkencave politike, Belul Beqaj, viti 2021, në aspektin politik mund të karakterizohet në dy faza. Faza e parë, sipas tij, është fitorja e thellë që Vetëvendosje shënoi në fillim të vitit në zgjedhjet parlamentare, ndërsa e dyta humbjet në zgjedhjet lokale të kësaj partie.

“Shpresuam për ndryshime të mëdha. Dhe kjo fazë përfundoi me zgjedhjet lokale kjo euforia politike emocionale mori karakter të realitetit racional politik dhe u arrit balanc mes pushtetit qendror dhe lokal. I bën dobi demokracisë, nëse akterët dhe aktorët edhe të fitores plebishitare, por edhe të debaklit në tetor, përkatësisht nëntor, i vlerësojnë gabimet që i kanë bërë, pa i harruar pengesat që janë shtresuar më tepër se 20 vjet. Kur them kështu mendoj se këto pakënaqësi që janë krijuar këto kohë s’i zbehin pritjet. Duhet të jemi realë në kërkesat që i presim. Shtohet edhe përvoja e tyre, dhe e kemi ditur se s’kanë shkop magjik. Kam prognozuar se ndryshimi i madh do të ndodh pas 4-8 vitesh. Duhet të jemi korrekt me kërkesat e opozitës për reforma të brendshme”, ka thënë ai në emisionin DESKU në KTV.

Sipas tij, pushteti i Vetëvendosjes s’ka përmbushur pritjet për shkak “të asaj se sa kanë qenë mundësitë”.

“Ka pasur dispropocion mes ambicieve dhe mundësive reale. Pushteti plebishitar më shumë erdhi si reflektim i dëshpërimit sesa besimit se do të ndodhin ndryshimet”, ka thënë ai teksa ka numëruar arsyet pse sipas tij VV-ja pësoi humbje në zgjedhjet lokale.

Ai ka thënë se Vetëvendosje përvetësoi fitoren dhe zgjodhi kandidatë në garat lokale njerëz më lojalë ndaj kryetarit sesa me mbështetje popullore. Ka thënë se ka munguar edhe lidhja me Listën Guxo, por edhe votimi më i vogël nga diaspora.