Qytetarë në vende të ndryshme të Kosovës janë ankuar për ndalje të paparalajmëruar të energjisë elektrike. Një pjesë e lagjes “Zabeli i Sahit Agës” në Gjilan thonë se kanë më shumë se 17 orë që janë pa energji elektrike. Prishje në rrjet ka pasur edhe në disa lagje të kryeqytetit. Nga KEDS-i thonë se prishjet janë shkaku i mbingarkesave.
Një pjesë e banorëve të lagjes “Zabeli i Sahit Agës” në Gjilan, për më shumë se 17 orë kanë mbetur pa energji elektrike. Ndalja e energjisë thonë se është bërë pa paralajmërim nga ana e KEDS-it dhe përkundër thirrjeve për intervenim, thonë se rryma nuk është kthyer as gjatë ditës së diel.
Hajrush Azemi, banor i kësaj lagjeje, i cili ka dy ditë që ka ardhur nga Franca për pushime në vendlindje, thotë se ndalja e rrymës i ka lënë edhe pa ujë e pa ngrohje.
“Prej orës 2 të natës nuk ka rrymë, nuk ka as ngrohje. Fëmijët kanë arritur tash, as nuk ka ujë, as nuk ka ngrohje. Unë vij më shpesh se kam biznesin këtu, e sot kanë ardhur fëmijët se i kanë dy javë pushim e nuk e di çka të bëj. Më së keqi edhe biznesi që kemi, fabrikë, nuk e di si ia bëjmë”, ka thënë ai.
Thotë se në mungesë të rrymës do të detyrohet që të blejë ndonjë kaminë dhe dru për t’u ngrohur.
“I kam thirrur nja 2-3 herë, por askush nuk ka ndërmarrë asnjë masë, as nuk lajmërojnë se do të ketë mungesë edhe nja tri-katër orë ose gjashtë orë. Dje në orën nëntë është ndërprerë një fazë, prej orës dy nuk ka fare, as nuk di çka me thanë, as çka të bëj, veç me ble dru, se s’ka ndryshe”, thotë ai.
Edhe banori tjetër, Fadil Shkodra, thotë se që nga ora 8 e mëngjesit janë pa energji, ndërsa ndalje ka pasur edhe gjatë ditës së shtunë.
“Telashet më të mëdha i kemi se kemi fëmijë të vegjël, ngrohjet nuk funksionojnë dhe nuk kemi mundësi të bëjmë asgjë. Problemi më i madh është se nuk funksionon asgjë në shtëpi. Nuk kemi mundësi as me bë bukë, as me ngroh asgjë”, thotë ai.
Shkodra thotë se nuk ka informata se çfarë ka ndodhur.
“Ndoshta dikujt i konvenon që të ndalet rryma se ka ndonjë marrëveshje me firma të tjera që me ble gjeneratorë, këtë nuk e di. Është një problem i madh që kemi”, thotë ai.
Nga KEDS-i në Gjilan kanë thënë se ka pasur probleme me përçuesit dhe se janë duke punuar për rregullimin e situatës, por nuk kanë dhënë afat se kur do të kthehet energjia në këtë pjesë.
Pak ditë më parë, zëdhënësi i KEDS-it, Viktor Buzhala, ka thënë se shkaku i ngarkesave ka prishje në disa trafo në vende të ndryshme, por që janë duke punuar për rregullimin e tyre.
“Ndalesat e planifikuara, të cilat ndodhin për shkak të mbingarkesës së trafo-stacioneve janë duke u ndërruar me të madhe për t’i ruajtur sigurinë e sistemit dhe kontinuitetin e furnizimit të konsumatorëve”, ka thënë Buzhala.
Ai ka thënë se janë në proces të ndërrimit të rreth 200 trafove, pasi siç ka thënë ngrohja me rrymë i ka rrezikuar ato asete dhe se disa janë edhe duke u djegur kohë pas kohe.
Gjatë ditës së djeshme një pjesë e lagjes “Tasligje” në kryeqytet ka mbetur pa rrymë shkaku i prishjes së linjës nëntokësore të tensionit të mesëm që furnizon atë pjesë.
“Në ‘Tasligje’, ekipet tona po punojnë që sa më parë të rikthejnë furnizimin me energji. Një pjesë e lagjes ‘Tasligje’ ka mbetur pa furnizim me energji elektrike si pasojë e prishjes së shfaqur në linjën nëntokësore të tensionit të mesëm që furnizon atë pjesë. Ekipet tona në këto çaste janë duke bërë sanimin e prishjes dhe po bëjnë çmos që sa më parë të rikthehet furnizimi me energji elektrike”, thuhet në njoftimin e KEDS-it.
Prishje ka pasur edhe në lagjen “Kodra e Trimave”, ku shkaku i mbingarkesës është djegur trafo.
“Në lagjen ‘Kodra e Trimave’, si kurrë më parë kursimi është më se i nevojshëm, pasi që për shkak të mbingarkesave po digjen trafot dhe po shkaktojnë situata jo të mira si për kompaninë ashtu edhe për konsumatorët. KEDS-i apelon që aty ku ka mundësi të kursehet, sepse krejt bashkë kemi ndikim më të madh”, thuhet në njoftimin tjetër të KEDS-it.
Sipas kësaj ndërmarrjeje, “një dritë më pak e ndezur, një dhomë më pak e ngrohur, një pajisje më mirë e menaxhuar, mund të duket pak, por nëse e aplikojnë secili ndikon në menaxhim sa më të mirë të aseteve dhe kjo përkthehet me furnizim të rregullt me energji elektrike”.
Djegie të trafos ka pasur edhe në Bardhosh, ku ka lënë një pjesë të fshatit pa energji elektrike.
Pas thirrjes së KEDS-it për kursim të energjisë, thirrje e tillë është bërë edhe nga Qeveria.
Ekzekutivi të premten ka ndarë 20 milionë euro për KEK-un për import të energjisë, pas rritjes së çmimit në bursa shkaku i krizës energjetike.
Kryeministri Albin Kurti ka thënë se pas miratimit në Kuvend të buxhetit për vitin 2022, në vlerë prej 2.75 miliardë eurosh, Qeveria ka marrë dy vendime.
Vendimi i parë, sipas tij, është që Pakos së Ringjalljes Ekonomike t’i shtohet masa 3.7 që ka të bëjë me mbështetjen në tejkalimin e krizës energjetike.
“Ndamë 20 milionë euro për importin e energjisë elektrike, me qëllim të subvencionimit të konsumit, sigurimit të furnizimit stabil për qytetarët dhe të evitimit të rritjes së çmimit të energjisë. Së bashku do ta tejkalojmë edhe këtë krizë të madhe të energjisë, nëpër të cilën muajve të fundit po kalojnë të gjitha vendet e regjionit dhe të Evropës”, ka thënë Kurti.
Kjo mund të ndikojë që të mos ketë rritje të papërballueshme të çmimit të energjisë elektrike. Por, që nuk garanton mosrritjen e çmimit. KEDS-i tashmë ka kërkuar një rritje prej 7 për qind nga ZRRE-ja, e cila ka pranuar ta shqyrtojë këtë kërkesë, por që ende nuk dihet nëse do të aprovohet apo jo një rritje e tillë.
ZRRE-ja ka vendosur ta hapë procesin e shqyrtimit të jashtëzakonshëm, dhe gjatë këtij procesi do t’i shqyrtojë aplikacionet e të licencuarve, duke vlerësuar nevojën për vazhdim të furnizimit me energji elektrike, rritjen e efiçiencës së konsumit dhe përballueshmërinë e çmimeve nga ana e konsumatorëve.
“Muajve të fundit, përveç rritjes së çmimeve në tregjet me shumicë të energjisë elektrike, vërehet edhe një rritje enorme e konsumit të energjisë elektrike në Kosovë. Kjo rezulton në rritjen e nevojës për blerje të energjisë me shumicë për mbulimin e konsumit dhe nevojat e rrjetit”, thuhet në njoftimin që kishte lëshuar ZRRE-ja ditë më parë.
Sipas këtij institucioni, pasi prodhimi nuk mbulon kërkesat për konsum, paraqitet nevoja për import shtesë që ka kosto shtesë për operatorët, e cila nuk është e parashikuar në të hyrat e lejuara maksimale për vitin relevant tarifor 2021.
“ZRRE-ja në kuadër të këtij procesi do të bëjë analiza dhe kalkulime të bazuara në të dhënat e disponueshme dhe do t’i analizojë të gjitha rrethanat e krijuara në sektorin e energjisë në lidhje me kostot e sistemit, si dhe në lidhje me menaxhimin e sigurisë së furnizimit. Paralelisht do të analizohet edhe mundësia e rishikimit të strukturës së tarifave me pakicë të energjisë elektrike, ku do të shihet mundësia e aplikimit të mekanizmave të tjerë për përmirësimin e efiçiencës së energjisë dhe të menaxhimit të kërkesës”, thuhet në njoftim.
Kjo kërkesë do t’u nënshtrohet edhe konsultimeve publike.
Aktualisht, konsumatorët kosovarë paguajnë rreth 7 cent për tarifën e lartë që është gjatë ditës, ndërsa 3 cent për tarifën e ulët që është gjatë natës.