Sot në Vushtrri është mbajtur testi me shkrim për kandidatët për prokurorë, të cilët kanë kaluar testin kualifikues për prokurorë të shtetit.
Në kuadër të këtij procesi rekrutues të 16 prokurorëve në prokuroritë themelore kanë marrë pjese 180 kandidatë, prej tyre 60 gra.
“Mbajtjen e testit të sotëm me shkrim e mbikëqyren anëtarët e Komisionit për Rekrutim të Këshillit Prokurorial të Kosovës, kurse për të monitoruar ketë proces ishin të pranishëm përfaqësues të Misionit për Sundimin e Ligjit në Kosovë - EULEX, Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë - OSBE dhe Grupit për Studime Juridike dhe Politike – GLPS, ndërsa për të vëzhguar ishin të pranishëm përfaqësues të Programit të Bashkimit Evropian për Sektorin e Drejtësisë në Kosovë – EUKOJUST dhe përfaqësues të Projektit të Ambasadës Britanike në Kosovë “Forcimi i sistemit të drejtësisë në Kosovë”, përmes partnerëve implementues “Axiom International””, thuhet nga Këshilli Prokurorial i Kosovës.
Procesi i rekrutimit të prokurorëve ka filluar me shpalljen e konkursit në qershor të vitit 2020 dhe me rishpalljen e tij në maj të vitit 2021. Testi me shkrim për rekrutimin e prokurorëve të rinj të shtetit është pjesë e fazës së dytë të testimit të përgjithshëm, të cilin Këshilli Prokurorial i Kosovës e menaxhon.